Foto: Kallxo.com

Sindikata e quan të ngutshëm vendimin për zbritje të rrogave në Telekom

Sot, pak para përfundimit të orarit të punës, punonjësit e Telekomit të Kosovës kanë marr një lajm jo fortë të mirë.

Bordi i kësaj ndërmarrjeje publike mori vendim që punëtorëve të ua zbrit pagat për 10 për qind.

Për këtë zhvillim brenda të Telekomit të Kosovës nuk është njoftuar Sindikata e Punëtoreve.

“Në e- mail na ka ardh një njoftim por nuk janë konsultuar me neve. E- maili na ka ardhur pak para orës 16:00 sot, na kanë thanë që për shkak të gjendjes së Telekomit, Bordi ka marr vendim për uljen e pagave. Unë mendoj që është një vendim i ngutshëm sepse nuk janë konsultuar  me ne”, ka thënë për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj.

Balaj tha se të hënën do të njoftojnë për hapat që do të ndërmarrin si sindikatë në lidhje me njoftimin e Telekomit të Kosovës.

“Të hënën në ora 10:00 e kemi një takim me Bordin e Telekomit dhe menjëherë pas takimit do të iu njoftojmë për hapat që do të ndërmarrim”, tha tutje Balaj.

Ai ka thënë se nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme gjendja financiare në Telekom, pasi që, sipas tij, një gjendje jo stabile ekziston që një kohë të gjatë.

Vendimi i Bordit nuk do të prekë edhe pagat e larta të drejtorëve në Telekomin e Kosovës.

Njoftimi që është bërë përmes një mesazhi elektronik është paralajmëruar se hynë në fuqi nga data 1 janar 2020.

Sipas njoftimit të cilin e kanë pranuar punëtorët e Telekomit të Kosovës, “TK është duke u përballuar me probleme teknike dhe ka shkurtuar të gjitha shpenzimet tjera operative me qellim  të përmirësimit të shërbimeve për konsumatorë”.

Zvogëlimi i pagave, gjithnjë sipas njoftimit, do të jetë për 10 për qind.

“Kontratat e punës dhe gradat mbesin të njëjta por koeficienti i secilës gradë  për të gjithë punëtorët pa dallim zbritet për 10 % përjashtuar pozitat e larta të parapara me Ligjin për Ndërmarrje Publike ku zbritja e koeficientit aktual është për 20 % , duke filluar nga data 01.01.2020”, thuhet në njoftimin e Telekomit të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

https://kallxo.com/lajm/telekomi-ua-zbrit-rrogat-punetoreve-por-jo-menaxhmentit/

www.kallxo.com