Prapaskenat e zgjedhjes së kryeshefit të ndërmarrjes KRU "Prishtina”

Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” e ka zgjedhur Fatos Krasniqin në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes. Krasniqi, i cili të gjithë karrierën e tij ka qenë pjesë e sektorit privat, e mbi 15 vjet e atij bankar, është vlerësuar me 38.17 pikë nga 40 pikë sa ka qenë totali i pikëve të mundshme. 

Krasniqi është pasuar nga Ilir Salihu i cili ka marrë 35 pikë. Salihu aktualisht mban pozitën e zëvendësauditorit të përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit. I treti me 34 pikë është vlerësuar Sokol Xhafa, i cili aktualisht e mban pozitën e u.d i kryeshefit ekzekutiv të KRU Prishtinës. Me një pikë më pak se Xhafa, i katërti me 33 pikë është renditur Hekuran Nikçi, i cili aktualisht është auditor në KRU Prishtina dhe anëtar i bordit të përkohshëm të Trepçës.

Intervistat për kryeshef të ndërmarrjes KRU “Prishtina” janë mbajtur me datë 11 dhe 12 nëntor. Komisioni nuk e kishte bërë vlerësimin e kandidatëve pas secilës intervistë e as në fund të ditës, por kanë vendosur që të caktojnë një ditë tjetër në të cilën do të bëhej poentimi i kandidatëve të intervistuar. Bordi i përkohëshëm kishte vendosur që vlerësimin për secilin kandidat ta bëj më 18 nëntor, apo gati një javë nga fillimi i intervistimit të 17 kandidatëve për pozitën e KE-së në ndërmarrje. Në të njëjtën ditë, pra me 18 nëntor, është marrë edhe vendimi për kandidatin më të suksesshëm. 

Në takimin e 18 nëntorit, anëtarët e bordit të përkohëshëm të ndërmarrjes KRU “Prishtina” kanë deklaruar me radhë pikët e tyre për secilin kandidat dhe në fund kanë mbledhur pikët dhe kanë hartuar listën nga kandidati më i vlerësuar tek ai më pak i poentuari.

Kjo nuk është bërë duke u bazuar në praktikën e BDO-së, kompanisë të angazhuar nga Ambasada britanike për asistim ndaj institucioneve në rekrutimin e pozitave të larta. Praktikë e BDO-së është që poentimi nga secili anëtar i panelit intervistues të bëhet menjëherë pas intervistimit të kandidatit në mënyrë që kjo të jetë transparente. Po ashtu sipas praktikës së BDO-së anëtarët e komisionit vlerësues i diskutojnë poentimet e bëra, sidomos në rastet kur ka diskrepancë. 

Gjatë kohës së intervistimit të kandidatëve, anëtarët e komisionit kanë mbajtur shënime dhe kanë shkruar vlerësimet e tyre në lap-topet e tyre personale por në asnjë moment nuk është bërë i ditur vlerësimi deri më 18 nëntor, kur është kumtuar vlerësimi.

Fatos Krasniqi ka qenë kandidati që ka grumbulluar më së shumti pikë nga 17 kandidatët e intervistuar për kryeshef ekzekutiv. Bankieri është renditur i pari, si më i vlerësuari edhe te secili prej anëtarëve të bordit.

Më 18 nëntor, kur dihej se cili prej kandidatëve ishte i përzgjedhuri i bordit por ende zyrtarisht nuk ishte nxjerrë vendimi i protokoluar dhe nuk ishin njoftuar kandidatët e intervistuar, njëri nga anëtarët e bordit në takim kishte thënë se ka pranuar një mesazh në telefon rreth kandidaturës së Fatos Krasniqi.

Bordi ka vendosur të injorojë SMS-in e pakonfirmuar dhe e ka marrë vendimin për përzgjedhjen e Krasniqit në pozitën e kryeshefit. Njoftimin për zgjedhjen e Krasniqit e kanë dërguar tek të gjithë kandidatët e intervistuar dhe që ishin në garë.

Fatos Krasniqi gjysmën e përvojës së tij 30-vjeçare të punës e ka në sektorin bankar ku edhe ka mbajtur pozita të ndryshme menaxheriale. Së fundmi ai ka mbajtur pozitën e drejtorit menaxhues të Bankës Ekonomike, ku është emëruar në maj të vitit 2018.

Krasniqi për 9 vite me radhë ka udhëhequr një biznes të tij privat. Ai po ashtu ka punuar edhe si shef i logjistikës në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Në sektorin bankar, përveç në Bankën Ekonomike, ai ka punuar edhe në Raiffeisen Bank, ku ka mbajtur pozita të ndryshme udhëheqëse, si menaxher rajonal i Prishtinës e Prizrenit dhe shef i departamentit të NVM-së dhe departamentit të mikro-biznesit.

I përzgjedhuri për kryeshef ekzekutiv të KRU Prishtinës, Fatos Krasniqi, ka studiuar për inxhinieri elektrike dhe ekonomi, ka një diplomë master në menaxhment dhe financë dhe ka ndjekur mbi 80 trajnime në vend si dhe në vende të ndryshme të Evropës.

Lista e ngushtë dërgohet për verifikim në KQZ pas intervistimit

Intervistimi i kandidatëve për kryeshef ekzekutiv ka përfunduar më 12 nëntor. Më 15 nëntor ka filluar intervistimi i kandidatëve për një tjetër pozitë të lartë brenda ndërmarrjes, për Zyrtar të Lartë Financiar.

Tri ditë pasi ka përfunduar intervistimi i kandidatëve për kryeshef ekzekutiv dhe në gjysmë të ditës së parë të intervistimit të kandidatëve për ZKF, bordi pas një diskutimi vendosi që t’i dërgojë dy listat e ngushta për KE dhe ZKF në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me përjashtim të kandidatëve që janë tërhequr nga intervistat.

Kjo u bë me qëllim që KQZ t’i verifikojë nëse ndonjëri nga kandidatët ka qenë në politikë në 36 muajt e fundit. Në përgjigjen e KQZ-së është bërë e ditur se dy kandidatë, njëri për KE dhe tjetra për ZKF, kanë qenë kandidatë për deputetë.

Pas informatave të pranuara nga KQZ-ja rezultoi se kandidati Betim Elezaj, i cili është intervistuar i katërti nga 17 kandidatët për kryeshef ekzekutiv, ka qenë kandidat i PDK-së për deputet në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021.

Ndërsa Dardane Sadiku, e cila aktualisht është punonjëse e KRU Prishtinës, sipas KQZ-së ka qenë kandidate për deputete e koalicionit AAK-PSD, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019.

Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë se zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur dhe se nuk mund të zgjidhen në ato pozita nëse në 36 muajt e fundit para aplikimit kanë qenë të emëruar politikë, zyrtarë të zgjedhur publikë apo kanë mbajtur pozita të rëndësishme në parti politike.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Gjatë konsultimeve për të dërguar apo jo listën e kandidatëve në KQZ, BIRN e ka ndarë me anëtarët e bordit praktikën që e ka ndjekur Zyra e Kryeministrit me rastin e zgjedhjes së bordeve të ndërmarrjeve publike duke i dërguar listat në KQZ dhe tek Thesari i Shtetit. Praktika e dërgimit të listave për verifikim në KQZ dhe Thesar të Shtetit është nisur pas rekomandimit të BIRN gjatë vitit 2020, deriza Zyra e Kryeministrit kishte hapur disa procese të përzgjedhjes së bordeve të ndërmarrjeve publike. 

Në atë kohë, Zyra e Kryeministrit i ka eliminuar nga gara të gjithë kandidatët që kanë qenë në politikë në 36 muajt e fundit dhe që bien kundërshtim me kërkesën e Ligjit për Ndërmarrjet Publike për pavarësi.

Intervistimi i kandidatëve 

Bordi i përkohshëm i KRU Prishtinës i ka intervistuar 17 kandidatë për pozitën e kryeshefit ekzekutiv brenda dy ditëve. Mesatarja e intervistimit të një kandidati ka qenë 30 minuta por ka pasur raste kur këto intervista kanë zgjatur më shumë dhe më pak se koha e paraparë. 

Intervista e u.d kryeshefit ekzekutiv të KRU Prishtinës, Sokol Xhafa, ka zgjatur 38 minuta, ajo e kandidatit të zgjedhur Fatos Krasniqi dhe kandidatit të dytë më të vlerësuar në listë për kryeshef, Ilir Salihu, ka zgjatur nga 37 minuta ndërsa intervistat e kandidatëve Shkelzen Popova dhe Lulzim Thaqi kanë zgjatur nga 21 minuta. 

Praktikë e BDO-së, kompanisë angleze të angazhuar nga Ambasada britanike për asistim nga institucioneve të Kosovës në rekrutim të pozitave të larta është që pyetjet të përgatiten para fillimit të intervistimit të kandidatëve në ditën kur fillojnë intervistat në mënyrë që ky proces të jetë sa më transparent. Por kjo nuk është praktikuar nga bordi i përkohshëm i KRU Prishtinës, të cilët kanë përgatitur paraprakisht pyetjet dhe jo në ditën e intervistave dhe para fillimit të intervistimit të kandidatëve.

Koha e intervistimit ka qenë mesatarisht 30 minuta, ndërsa numri i pyetjeve ka shkuar nga 10 deri në 18 pyetje. Pyetjet në disa raste nuk kanë qenë të njëjta. Te disa kandidatë janë parashtruar pyetje të cilat nuk janë parashtruar te disa kandidatë të tjerë.

Po ashtu, BIRN ka vërejtur që janë parashtruar shumë pyetje krahasuar me kohën që ka qenë në dispozicion të kandidatëve. Vazhdimisht anëtarët e Komisionit i kanë ndërprerë kandidatët gjatë përgjigjeve të tyre duke iu treguar se nuk ka shumë kohë në dispozicion dhe se duhet të vazhdohet me pyetjen tjetër. Në disa raste është vënë në dukje nga kandidatët se koha e vënë në dispozicionin e tyre për përgjigje është e shkurtë.

Në intervistat e realizuara me asistencë të britanikëve përveç temës së prezantimit, për të cilën kandidatët kanë kohë nga 7 deri në 10 minuta ta prezantojnë para komisionit vlerësues, atyre iu parashtrohen edhe 8 pyetje të tjera. Derisa në tri prej pyetjeve ata kanë kohë të përgjigjen nga 5 ose 7 minuta për secilën, në pesë pyetje të tjera ata kanë në dispozicion nga 3 minuta për secilën pyetje. Kandidatët në fillim të intervistës njoftohen për kohën që e kanë në dipozicion për secilën përgjigje. Po ashtu, koha e intervistës matet nga njëri nga anëtarët e komisionit, i cili në momentin që ofrohet përfundimi i kohës për secilën pyetje, e njofton kandidatin në mënyrë që ai ta përfundojë përgjigjen në sekondat e mbetur.

Kandidatët për kryeshef ekzekutiv të KRU Prishtinës kanë pasur në dispozicion përafërsisht 1 deri në 3 minuta në secilën pyetje, varësisht nga numri i pyetjeve dhe nënpyetjeve të parashtruara nga anëtarët e komisionit.

Koha mes intervistave të kandidatëve ishte përcaktuar të jetë 10 minuta. Jo siç është praktikë e britanikëve që të ketë kohë për poentim, diskutim e argumentim të pikëve të dhëna pas secilit kandidat. Kur intervistat kanë zgjatur më shumë se 30 minuta, menjëherë pas daljes së kandidatit paraprak ka hyrë për intervistim kandidati i ardhshëm pas një pushimi 2-3 minutësh.

Për intervistim, bordi i përkohshëm kishte kualifikuar 18 kandidatë por njëri prej tyre, Fikret Ibrahimi është tërhequr nga intervistimi.

Renditja e kandidatëve sipas vlerësimit të bordit është kjo: Fatos Krasniqi me 38.17 pikë, Ilir Salihu me 35 pikë, Sokol Xhafa me 34 pikë, Hekuran Nikçi me 33.16 pikë, Luan Hoti me 31.83 pikë, Zijadin Lutolli me 29.16 pikë, Betim Elezaj me 16.16 pikë, Avni Ramadani me 25.33 pikë, Bekim Hoxha me 23.83 pikë, Ylber Zabërgja me 23.66 pikë, Bekim Pireva me 23.5 pikë, Lulzim Rexhepaj me 22.66 pikë, Selatin Retkoceri me 22.66 pikë, Ilir Fazliu me 20.16 pikë, Shkelzen Popova me 18.5 pikë, Lulzim Thaqi me 18 pikë dhe Shyqyri Krasniqi me 17.16 pikë.

Kandidatët e pakënaqur me zgjedhjen e bordit të përkohshëm kanë pasur mundësi të ankohen në këtë vendim brenda 8 ditëve kalendarike që nga dita e nxjerrjes së vendimit. Tashmë koha e përcaktuar për ankesa ka përfunduar. Në vendimin e bordit është ankuar u.d i kryeshefit ekzekutiv, Sokol Xhafa.

Xhafa e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka deponuar ankesë te bordi i përkohshëm dhe është duke pritur shqyrtimin e saj.

“Ankesa është përpiluar mbi bazën e disa pikave për të cilat zyra juridike që e kam angazhuar mendon dhe pretendon se janë bërë shkelje”, ka deklaruar Xhafa.

Paneli intervistues është përbërë nga tre anëtarët e bordit të përkohshëm të KRU Prishtinës: Nora Tafarshiku, Albana Berisha – Qehaja dhe Evetar Zeqiri. Bordit të përkohshëm, i cili është emëruar më 25 qershor, i skadon mandati më 25 dhjetor 2021.