Si u identifikua nga Policia i dyshuari për sulm seksual ndaj Mrika Nikqit?

Të premten, alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar videon ku shihet duke u sulmuar në një rrugicë në qytetin e Pejës. Rasti, sipas saj, ka ndodhur më 27 shtator. I dyshuari për sulmin seksual ndaj saj u arrestua nga Policia 3 ditë më vonë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se identifikimi i të dyshuarit ka qenë i vështirë për shkak se i njëjti ka qenë i maskuar.

“Më datën 30 shtator rreth orës 14:40 minuta është arrestuar, për shkak se i njëjti ka qenë i maskuar dhe ka qenë shumë vështirë të identifikohet. Kemi bashkëpunuar së bashku më Mrikën, kemi pasur disa persona që kanë qenë të dyshuar dhe ka qenë e vështirë të identifikohet për shkak të mënyrës se si është maskuar” – ka thënë Nikçi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Shkodran Nikçi ka thënë se është punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Kemi përgjuar të gjitha lëvizjet e mundshme, dhe përmes një video-incizimi dhe një dëshmitari bashkëpunues është arritur të identifikohet personi dhe pasi që është identifikuar i njëjti afër vendit të tij të punës është arrestuar”- ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës.

Ai tutje ka thënë se as viktima e rastit, Mrika Nikqi nuk ka mundur ta identifikojë të dyshuarin.

Sipas tij, Mrika NIkqi nuk ka përmendur në Polici asnjë person të dyshuar.

“Mrika nuk ka përmendur asnjë person për shkak se nuk ka mundur ta identifikojë personin. Ai i shkon nga mbrapa dhe e sulmon seksualisht dhe ka qenë e pamundur, në kamera vërehet që nuk mund të identifikohet personi, është dashur të lëshohen dhjetëra autorizime nga prokurori i shtetit që Policia të sigurojë video-incizimet potencialisht ku ka mundur të lëvizte personi i dyshuar ” – ka thënë tutje zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur që pamjet e sulmit janë publikuar pa urdhër të Prokurorisë, por me vetëdëshirë të Mrika Nikqit.

“Ne e kemi arrestuar fillimisht personin dhe disa orë më pas Mrika i ka publikuar videot”- ka thënë ai.

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar të premten videon ku shihet duke u sulmuar në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur në mbrëmjen e 27 shtatorit.

Më 30 shtator, Prokuroria e Pejës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për sulm seksual ndaj saj.

“Hajt se e sheh ti, hala s’kam kry punë më ty” – janë fjalët që dyshohet se F.B. ia ka thënë viktimës Mrika Nikqi ditën kur ka ndodhur sulmi ndaj saj.

E Gjykata duke u bazuar edhe në këtë deklaratë të pretenduar të të dyshuarit ka konsideruar se duhet caktuar paraburgimi.

“duke shtuar faktin se i pandehuri menjëherë pas kryerjes se veprës penale Iu ka drejtuar të dëmtuares me fjalët ‘ hajt se e sheh ti, hala s’kam kryer punë unë me ty’, prandaj me lënien në liri të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti do të vazhdojë të kryejë veprën penale ndaj të dëmtuarës së njëjtë” – thuhet në dosjen e Gjykatës.

Gjykata i ka caktuar paraburgimin të pandehurit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Adem Gorani, ka deklaruar se i dyshuari e ka pranuar veprën në tërësi.

Ndërsa vetë i dyshuari ka deklaruar se është i penduar për rastin që ka ndodhur duke shtuar se as ai nuk e di si ka ndodhur rasti.

Në dy muajt e fundit raste të shumta të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale janë raportuar në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Sot gjatë ditës KALLXO.com raportoi për një rast ku një person që dyshohet se kishte ngacmuar seksualisht të miturën ishte liruar pas 48 orësh.

Policia e Kosovës më 16 gusht kishte raportuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se e kishte ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur dhe se me urdhër të prokurorit i dyshuari ishte dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Mirëpo, i dyshuari, me urdhër të prokurorit kujdestar, ishte liruar pas 48 orëve të mbajtjes.

Lirimin e të dyshuarit e ka konfirmuar për KALLXO.com Prokuroria e Prishtinës.

KALLXO.com merr vesh se vajza ishte ngacmuar deri sa po udhëtonte me një taksi ilegal.

Ajo kishte arritur ta incizonte taksistin duke e ngacmuar dhe duke i ofruar favore seksuale.

Sipas asaj që ka kuptuar KALLXO.com taksisti nuk ishte ndalur së ngacmuari edhe pasi që vajza i kishte treguar se mosha e saj është 17-vjeçare.

Javë më parë një rast që tronditi opinionin publik u raportua pasi viktimë e një dhunimi ishte një 11-vjeçare. Në dy raste të ndara janë arrestuar më shumë se 10 persona të cilët dyshohen për dhunim, shërbime seksuale dhe trafikim me qenie njerëzore.

Rasti u bë publik fillimisht më 27 gusht, kur viktima dyshohet se është dhunuar nga 5 persona në disa lokacione të ndryshme në një interval kohor prej shtatë orësh.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi në lidhje me ngacmimet dhe sulmet seksuale që kanë ndodhur javët e fundit.