Si u arratis Millan Radojiçiq nga pika kufitare? Flet prokurori që e futi në “stop-listë”

I kërkuar më parë për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, Millan Radojiçiq sot është në “stop- listë” për rastin e njohur në publik si “Brezovica”.

KALLXO.com më 3 shkurt raportoi ekskluzivisht për arratisjen e Millan Radojiçiqit nga pika kufitare në Bërnjak duke lënë në të njëjtën pikë kufitare dokumentet e tij personale.

Prokurori që futi në “stop- listë” Radojiçiqin, Rasim Maloku në një interviste për emisionin “Kallxo Përnime” tregoi se  çka kishin deklaruar zyrtarët policorë për ditën kritike.

“Më 3 shkurt 2022 nga hetuesit e rastit “Brezovica” jam njoftuar se Milan Radojiçiq ka tentuar që të hyjë në Kosovë përmes pikës kufitare Bërnjak nga ora 15. Aty është identifiku dhe verifiku në sistem se është në “stop listë””, tregon Maloku.

Ai shton tutje se Radojiçiq është futur në “stop listë” dhe po kërkohet për shkak të tentimit që të pengojë rastin “Brezovica” për të cilin prokurori Maloku thotë se janë duke u hetuar mbi 20 persona për vepra të ndryshme penale.

Sipas prokurorit Maloku ende nuk janë të qarta veprimet e zyrtarëve policorë të cilët kanë qenë në ndërrim atë ditë.

“Veprimet e Policisë deri më tani nuk i kemi të qarta, kurse sipas njoftimit të tyre në momentin që e ka kuptu që është në stop listë ka lëviz mbrapa me veturë dhe ka kalu në territorin e Serbisë kurse në pikë kufitare i kanë mbet dokumentet e identifikimit”, thotë Maloku deri sa shton se ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për ngjarjen.

“Po versioni i tyre është se në momentin kur e kanë identifiku që është në “stop listë”, kanë kërku prej tij që të parkohet dhe të vazhdojnë procedurat e mëtutjeshme, ai ka lëvizur mbrapa dhe ka dalë në territorin e Serbisë”, tregon tutje prokurori Maloku për veprimet e zyrtarëve policorë.

Ai shton se kontrollet nga Policia në atë pikë kufitare bëhen në atë mënyrë që personat që hynë nga Serbia në Kosovë kontrollohen nga Policia e Kosovës ndërsa ata që shkojë në Serbi nga Policia serbe.

Maloku shpjegon edhe se zyrtarët policorë kanë deklaruar se kanë tentuar që ta ndalin por nuk kanë arritur ta pengojnë veturën në të cilën ka qenë Radojiçiq.

“Ne kemi autorizu IPK që të bëj mbledhjen e të dhënave, rrethanat e arratisjes së Milan Radojiçiq në mënyrë që të bëhet një raport nga personat zyrtar të shikohen kamerat e sigurisë në pikën kufitare dhe të merren edhe rrethanat tjera se si ka ndodhur dhe cilat kanë qenë aryset se pse nuk është arrestuar”, thotë tutje ai.

Sipas prokurorit Maloku kamerat nuk kanë funksionuar atë ditë në atë pikë kufitare.

“Kamerat sipas raportit kanë pasur defekt dhe nuk funksionojnë në mënyrë të rregullt, është çështja e rrymës, rrjetit, sistemit të kamerave që është i vjetër dhe në një pjesë të pikës kufitare janë ndërruar dhe në disa pjesë kanë mbetur të njëjtat”, tregon tutje Maloku.

Ai shton edhe se nuk kanë marrë ende ndonjë informacion për kamerat e sigurisë në pikën kufitare Bërnjak.

“Deri tani nuk dimë se ka pasur raportime për këto pengesa. Kemi kërkuar nga Qendra për Menaxhimin e Kufirit që të njoftohet se kur kanë qenë këto defekte a ka pasur intervenime për sanimin e këtyre defekteve sepse ato realisht kanë qenë jashtë funksionit”, shton ai.

Sipas Malokut, Radojiçiq ka qenë së bashku me një person tjetër.

“Tani për tani mbledhja e informatave është vendosur në tre persona dhe të shohim përgjegjësinë individuale të çdo personi. Nga mbledhja e informacioneve do të shohim a ka elemente të veprës penale apo vetëm shkelje disiplinore”, shpjegon veprimet prokurori Maloku për zyrtarët policorë.

Ai tregon edhe se do të trajtojë informacionet se shefi i ndërrimit të policisë në ditën kur u arratis Milan Radojiçiq nga Bërnjaku luan në ekipin e të njëjtit.

KALLXO.com raportoi vetëm pak ditë pas arratisjes së Radojiçiq se zyrtari policor, Goran Millivojeviq, ishte shef i ndërrimit në pikën kufitare në Bërnjak në ditën kur nga kjo pikë u arratis i kërkuari Millan Radojiçiq.

KALLXO.com zbuloi se ai ka një lidhje bukur interesante me njeriun i cili u arratis nga duart e shefit të ndërrimit në pikën kufitare.

Përpos rrethanave që në pikën kufitare atë ditë nuk kishin punuar kamerat, KALLXO.com ka zbuluar se eprori i policisë, Goran Millivojeviq është pjesë e ekipit të futsallit i cili zhvillon gara në Mitrovicën e Veriut, e që është i financuar nga biznesi i cili është në pronësi të Millan Radojiçiqit.

Restorant “Grey” që ndodhet në Mitrovicën e Veriut është në pronësi të Radojiçiqit, ndërsa ekipi ku luan futsall eprori i Policisë, e mban emrin e këtij restoranti në fanella.

KALLXO.com ka siguruar pamje të lojës e po ashtu fotografi ku shihet Millivojeviq tek mbanë fanellën e klubit.

Dosja: Eprori i policisë filmohet në fanellën e ekipit të biznesit të Millan Radojiçiq