Si funksionon ‘Portal Kombat’, rrjeti rus që synon përçarjen e Perëndimit?

Imagjinojeni një rrjet prej dhjetëra faqesh online që përhap vazhdimisht lajme të rreme në internet.

Rrjeti i ngjan një fabrike që vetëm prodhon – disa faqe i publikojnë deri në nëntë materiale brenda orës.

Synimi kryesor: përçarja e shoqërive të Perëndimit dhe avancimi i interesave ruse.

Këtë rrjet e ka bërë realitet Rusia, të cilit ekspertët francezë ia ka lënë emrin “Portal Kombat”.

Perëndimi është thellësisht i shqetësuar që ky rrjet mund t’i shkaktojë telashe para zgjedhjeve që do të mbahen në Bashkimin Evropian dhe vende tjera brenda bllokut.

Zgjedhje këtë vit do të mbahen në rreth 64 shtete në botë dhe kjo nënkupton se mbi 2 miliardë njerëz kanë të drejtë vote.

Duke e adresuar këtë problem, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se lufta e re në botë me dezinformata “nuk ka të bëjë me bomba që vrasin”, por me fjalë dhe ide “që mund t’ua kolonizojnë mendjen”.

Duke e komentuar rrjetin, Jakub Kalensksy, prej Qendrës për Ndikim Hibrid COI, me bazë në Finlandë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, ndonëse nuk dihet nëse ky rrjet ka apetitit në Ballkan, rusët janë shumë të interesuar të shtrijnë fushata të ngjashme atje.

Çka janë dezinformatat?

Dezinformatat janë informacione të rreme që përhapen për të ndikuar në opinionin publik, apo për të zbehur të vërtetën.

Si funksionon rrjeti?

Rrjeti “Portal Kombat” është zbuluar prej agjencisë franceze Viginum dhe përbëhet prej 193 faqeve, që përhapin pikëpamjen e Moskës për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e kritikojnë Qeverinë në Kiev.

Por jo vetëm kaq.

Shembull, në Francë, përmes këtij rrjeti kanë qarkulluar lajme të rreme për Lojërat Olimpike Verore, që do të mbahen verës në Paris, si dhe për prezencën e ushtrisë franceze në Niger dhe Gabon.

Agjencia që e ka zbuluar rrjetin, Viginum, është agjenci e krijuar më 2021 prej autoriteteve shtetërore franceze për të gjurmuar ndërhyrjen digjitale prej subjekteve të huaja, që synojnë të ndikojnë në opinionin publik.

Pjesë e agjencisë janë pjesëtarë të ushtrisë franceze dhe ekspertë të kibernetikës.

Ata kanë thënë se e kanë analizuar rrjetin në periudhën shtator-dhjetor të vitit 2023 dhe kanë kuptuar se një pjesë e mirë e fushatës e ka burimin në Rusi.

Ky rrjet nuk krijon përmbajtje vetë, por vetëm e kopjon atë prej tri burimeve të ndryshme:

  • Llogarive në rrjetet sociale (kryesisht prej Telegramit) që janë të zyrtarëve apo figurave ruse me ndikim
  • agjencive ruse të lajmeve
  • faqeve zyrtare ruse apo institucioneve lokale.

Ja një shembull që e kanë cituar zyrtarët francezë:

Së fundi, në Francë ka qarkulluar një lajm me titullin, “Mjaft!: Franca bën thirrje për masa radikale kundër [presidentit ukrainas Volodymyr] Zelenskyt”.

Brenda në artikull ka qenë si referencë një postim që e ka bërë në rrjetet sociale një politikan i opozitës në Francë, i cili ka qasje proruse.

Faqet e këtij rrjeti e kanë kryesisht emrin ‘pravda’ dhe pjesa tjetër ndryshon varësisht prej shtetit, shembull, pravda.fr [për Francën], ‘pravda.de’ [për Gjermaninë] dhe kështu me radhë për Austrinë, Zvicrën, Poloninë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Një arsye pse përdoren domenet [.fr, .de, .pl] është që informacioni të përhapet nëpër zona lokale.

Zyrtarë të lartë të vendeve të BE-së, i kanë kritikuar përpjekjet ruse për dezinformim dhe janë zotuar për marrjen e masave për luftimin e tyre.

I pyetur se cilat vende të Evropës janë më të cenueshme nga taktika të tilla ruse, Kalensky, i specializuar në fushën e dezinformimit dhe aktiviteteve hibride ruse, e ka përmendur Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

“Rreth 30 për qind e popullsisë në Itali besojnë në narrativa dezinformuese ruse, sikurse ajo që Perëndimi duhet fajësuar për luftën në Ukrainë. Në Francë gati gjysma e popullsisë beson në të paktën një teori konspirative për luftën në Ukrainë, një shifër shumë e lartë”.

Sipas tij, sa më shumë që rritet përkrahja për të djathtën ekstreme në Evropë, aq më shumë rritet hapësira për ndërhyrje ruse.

Si është formuar “Portal Kombat”?

Agjencia Viginum e ka dëshmuar përfshirjen e një faktori rus në këtë rrjet, kompaninë TigerWeb dhe udhëheqësit e tij.

Sipas tij, zgjerimi i menjëhershëm i rrjetit jashtë kufijve të Ukrainës – pas nisjes së luftës në këtë shtet – tregon se Rusia mëton të shtyjë përpara fushatë agresive në fushën e informimit, duke shënjestruar audienca ndërkombëtare.

“Në këtë kontekst “Portal Kombat” përfaqëson një kanal alternativ për qarkullim të këtyre narrativave, sidomos në shtete që e kanë ndaluar transmetimin e mediave shtetërore ruse si Sputnik dhe RT”, ka thënë Viginum.

Çfarë është TigerWeb?

TigerWeb është kompani për zhvillim softuerësh, e themeluar prej Yevgeny Shevchenkos, i cili ka mirëmbajtur faqe online të lajmeve prej të paktën vitit 2013.

Selia e kompanisë është në Simferopol, qytetin e dytë më të madh të Krimesë, gadishullit ukrainas të aneksuar prej Rusisë më 2014.

Edhe Shevchenko është prej Krimesë, dhe në periudhën 2015/16, ai ka krijuar faqe për autoritetet e Krimesë, sikurse portali informues “Krimea në historisë e Botës Ruse”, dhe faqe tjera që madhërojnë aneksimin rus.

Ai është shpërblyer disa herë prej autoriteteve në Krime për punën që ka bërë.

Megjithatë, Viginum ka gjetur mangësi në procesin e përhapjes së informacionit të rremë.

Në disa raste softuerët që përkthejnë automatikisht materialin rus në gjuhë të ndryshme [frënge, gjermane, angleze] kanë dështuar të bëjnë punën e tyre dhe materialet janë përhapur në këto shtete me shkronja cirilike.

‘Dezinformimi kërcënon sigurinë kombëtare’

Më 16 shkurt, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, e kanë prezantuar bashkërisht ‘Kornizën për të luftuar informacionin manipulues prej shteteve të huaja’ përmes së cilës, këto vende e pranojnë kërcënim që ekziston prej dezinformimit.

Ato kanë thënë se dokumenti në fjalë ofron pikëpamje se si të trajtohet sfida e manipulimit të informacionit të huaj, dhe mëton të standardizojë qasjen e këtyre shteteve ndaj problemit të përbashkët.

Edhe James Rubin, i dërguari i posaçëm dhe koordinator në Qendrën Globale të Angazhimit brenda Departamentit amerikan të Shtetit, u ka thënë gazetarëve ditë më parë, se Shtetet e Bashkuara e shohin dezinformimin që vjen prej jashtë, si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Pohime të ngjashme kanë bërë edhe BE-ja dhe NATO-ja.

Rubin e ka bërë edhe një dallim prej propagandës që bën Rusia përmes mediave të veta shtetërore dhe përhapjes së dezinformatave përmes një rrjeti sikurse “Portal Kombat”.

“Kur përmenden armët biologjike në Ukrainë… nëse e lexoni që Kremlini ka thënë se ka armë biologjike të krijuara prej SHBA-së në Ukrainë, ju do të reagoni ndryshe sesa nëse lexoni që SHBA-ja është duke krijuar fshehurazi armë biologjike në Ukrainë, siç ka qenë një dezinformatë që ka qarkulluar prej Rusisë disa herë”.

Si e lufton Perëndimi dezinformimin?

Bashkimi Evropian e ka krijuar më 2022 rregulloren e ashtuquajtur Akti për Shërbime Digjitale.

Përmes saj, blloku evropian synon të krijojë një hapësirë të sigurt digjitale, ku mbrohen të drejtat e përdoruesve dhe krijohet një treg i barabartë për bizneset.

Rubin është ankuar që SHBA-ja nuk ka diçka të tillë, dhe që institucionet shtetërore vetëm konsultohen me kompani të rrjetet sociale për taktikat e luftimit të dezinformonit.

Megjithatë, Kalensky tërheq vërejtjen se rregullorja e BE-së kërkon llogaridhënie vetëm nga platformat e mëdha, sikurse Facebook, apo X – i njohur më parë si Twitter, dhe nuk mund të depërtojë te rrjetet më të vogla, sikurse “Kombat Portal”.

Kalensky, po ashtu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është shumë më përpara Evropës kur është fjala për hulumtim të fushatave të dezinformimit.

“Për dallim prej evropianëve, ata [amerikanët] kanë bërë hulumtim për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Në Evropë kemi pasur dhjetëra zgjedhje dhe referendume të shënjestruara prej ndërhyrjeve ruse, dhe nuk ka pasur asnjë hulumtim të ngjashëm”.

Situata në Ballkan

Kalensky beson se Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë më të rrezikuarat nga shtrirja e fushatave dezinformuese ruse në rajonin e Ballkanit.

Bosnja për shkak të tensioneve ndëretnike, ndërsa Serbia për shkak të diskursit të zyrtarëve shtetërorë dhe skenës mediale.

“Sa më e polarizuar shoqëria, aq më shumë hapësirë për operacione dezinformimi. Për një dezinformator, rajoni i Ballkanit Perëndimor është më atraktiv sesa rajonet më të qeta, sikurse Finlanda apo Suedia”, vlerëson Kalensky.

Zyrtarët më të lartë shtetërorë në Kosovë e kanë përmendur disa herë se përpjekjet e Rusisë në Ballkan përhapen nëpërmjet “satelitit të saj, Serbisë”, dhe se shteti rus tenton të përfitojë prej tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kina, nxënëse e mirë” në botën e dezinformimit

Duke folur për rreziqet në rritje në fushën e dezinformimit, Kalensky i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kina po bëhet “nxënëse e mirë” e Rusisë në këtë drejtim.

“Ekzistojnë programe shkëmbimi në mes të mediave ruse dhe kineze, janë nënshkruar marrëveshje mes autoriteteve të të dyja shteteve për bashkëpunim në fushën e informacionit. Po bashkëpunojnë shumë. Në rast se do të kemi shkrirje të burimeve astronomike kineze, me përvojën e madhe ruse, do të përballemi me problem shumë më të madh sesa tani”.

Çfarë duhet të bëjë Perëndimi?

Të rrisë sa më shumë fondet dhe përpjekjet, pasi, sipas Kalenskyt, Rusia është e fokusuar në çdo platformë, qoftë ato për mesazhe sikurse Viber, WhatsApp, e Telegram, ashtu edhe në platforma të mëdha, si dhe në figura të ekstremit të djathtë në Evropë.

“Duhen më shumë kapacitete për identifikim dhe dokumentim. Besohet se Rusia tani ndan 2 miliardë euro për operacione dezinformimi brenda vitit, derisa përgjigja e BE-së financohet prej 12 milionë eurove. Nëse i kemi 2 miliardë euro përballë 12 milionë eurove, e dimë qartë fundin. Nuk ka rëndësi nëse fushata e BE-së është më e mirë, në fund Rusia do të fitojë”.

Ai e ka përmendur edhe nevojën e rritjes së fushatave vetëdijesuese, të komunikimit strategjik, por dhe ndëshkim të agresorëve me sanksione të ashpra./REL