
Shumë optimizëm e pak gjasa për marrëveshje në takimin e 18 marsit
Ohri pritet të jetë destinacioni i cili të shtunën do t`i ulë në tavolinë të bisedimeve kryeministrin Albin Kurti, presidentin serb Aleksandar Vuçiq, takim i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi i së shtunës për kryeministrin e vendit Albin Kurti po shihet me optimizëm, presidentja Vjosa Osmani tha që ka pak pritje për këtë takim, ndërsa njohës të çështjeve politike në vend, nuk presin arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
Takimi i Ohrit vie pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, ku u tha që u dakorduan për planin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman, por që nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje.
Për dallim prej herëve të tjera, agjenda e këtij takimi është thënë të jetë finalizimi i udhërrëfyesit për zbatimin e planit franko-gjerman.
Plani 10 franko-gjerman është bërë publik më 27 shkurt, por ende mister mbetet udhërrëfyesi që do të siguroj implementimin e tij.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha që nuk ka pritje të mëdha nga takimi i së shtunës, kjo sepse sipas presidentes Osmani, pala serbe ka qenë vazhdimisht destruktive në dialog.
“Shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet me një presion në raport me Serbinë në mënyrë që të bindet edhe Serbia që data 18 mars është një momentum i rëndësishëm në dialog në mënyrë që nëpërmjet kësaj marrëveshje së bashku me një plan zbatimi të zgjidhen shumë çështje të cilat pastaj e hapin rrugën drejtë njohjes reciproke”- ka thënë dje presidentja Osmani.
Në anën tjetër kryeministri i vendit, Albin Kurti tha që plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër mbase jo vetëm në Ohër.
“Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses apo nuk do të ketë nuk varet prej meje, unë kam ofruar që edhe me 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e BE, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme as e interesuar. Pra nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar konstruktiv dhe kreativ”- ka thënë dje kryeministri Albin Kurti.
Analisti politik, Imer Mushkolaj ka thënë për KALLXO.com se ka pak gjasa që të shtunën të arrihet ndonjë marrëveshje në Ohër.
“Arritja e një pajtimi varet shumë nga presioni që këto ditë do të bëjnë sidomos SHBA-të, në mënyrë që të nënshkruhet një marrëveshje kalimtare, e cila do ta qetësonte rajonin përkohësisht”- ka thënë ai.
Javën e kaluar, Kosovën e vizitoi i dërguari i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ku takoi kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare në vend.
Lajçak pas këtyre takimeve u shpreh optimist për takimet e tij dhe suksesin e planit franko-gjerman.
Ndërsa të hënën dhe të martën, emisari Lajçak qëndroi në Beograd nga ku tha që nuk mund të ketë marrëveshje pa asociacionin.
Kryeministri Albin Kurti, i pyetur për këtë deklaratë të emisarit të BE-së tha që kjo është e përfshirë në planin franko-gjerman.
“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian me iniciative franko-gjermane e i mbështetur nga SHBA dhe Italia, le ta diskutojmë planin e zbatimit, unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për çështjen e asociacionit, apo “Zajednicës” ajo është në nenin 10”- ka thënë Kurti.
Sipas analistit politik, Imer Mushkolaj, palës kosovare i mbetet ta akomodoj asociacionin në planin franko-gjerman.
“Tashmë Serbia e ka kusht themelimin e Asociacionit, që po përkrahet edhe nga BE dhe SHBA, andaj i mbetet Kosovës qe te gjejë zgjidhje për të akomoduar Asociacionin ose “diçka” te ngjashëm me të, që do t’i avanconte pozitivisht te drejtat e serbeve”- ka thënë ai.
“Kosova duhet të ketë shumë kujdes se si mund të zbërthehet marrëveshja në planin e zbatimit, duke iu shmangur çfarëdo zgjidhjeje që do të nënkuptonte autonomi territoriale për serbet. Po ashtu, Kosova duhet të ketë kujdes që të mos konsiderohet fajtore nëse marrëveshja dështon të arrihet”- ka shtuar ai.
Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është paraparë të zbatohet në pikën 10 të planit të franko-gjerman.
“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese” – thuhet në pikën 10-të të këtij propozimi.
Ndërsa neni 7-të i dokumentit të publikuar dje flet për mundësinë e vet menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë si dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia nëpërmjet një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Në anën tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk më shkon në mendje të nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”- citohet të ketë thënë Vuçiq në një intervistë për televizionin ‘Happy’.
Ndonëse thotë që nuk do të lejoj anëtarësimin e Kosovës në OKB është pikërisht neni 4 i planit të Bashkimit Evropian i cili thotë që Serbia nuk mund të bëjë një pengesë të tillë për Kosovën.
“Palët veprojnë nën supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare”, – thuhet në nenin 4.
Në takimin e mbajtur më 27 shkurt, nikoqiri i këtij takimi, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se palët janë dakorduar planin franko-gjerman, duke theksuar se tani mbetet vetëm udhërrëfyesi për zbatimin e tij.
Borrell ishte shprehu optimist se puna mund të finalizohet deri në fund të muajit mars.
Plani i Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt.