Ilustrim

Shuarja e Departamentit që hetonte korrupsionin, hap i drejtë, apo hakmarrje politike?

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka marrë vendim për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion.

Me 26 shkurt të vitit 2010, në kohën kur Qeveria drejtohej nga presidenti i tanishëm Hashim Thaçi, u morë vendim që të themelohet Departamenti Special Antikorrupsion.

Në atë kohë, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themeloj këtë departament me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.

Ky Departament në bazë të vendimit të Qeverisë ishte përbërë nga tetë prokurorë, pesë prej të cilëve kanë qenë vendor dhe tre prej tyre të emëruar nga autoritetet e EULEX-it.

Me marrjen e këtij vendimi, Qeveria e Kosovës në vitin 2010 kishte marrë përsipër përzgjedhjen dhe rekrutimin e 30 oficerëve hetues të Policisë së Kosovës, të cilët ishin paraparë që të angazhohen drejtpërdrejt në hetimin e rasteve, të cilat do të hetoheshin nga Departamenti Special Antikorrupsion.

Në bazë të vendimit të Qeverisë i cili ishte marrë në shkurt të vitit 2010 ishe marrë vendim që për këtë departamentit përzgjedhës edhe pesë ekspertë me përgatitje dhe eksperiencë në fushën e hetimeve dhe çështjeve të tjera në luftimin e dukurive negative, të cilët sipas vendimit kanë qenë të paraparë të punojnë ekskluzivisht vetëm në çështje të Departamentit Special Antikorrupsion.

Qeveria në vitin 2010 kishte premtuar që do të vë në dispozicion të Departamentit të gjitha resurset e nevojshme logjistike dhe stimulim financiar për punonjësit e këtij departamenti, në mënyrë që departamenti të ishte efikas në punën e tij.

10 vite pas vendimit të Qeverisë për formimin e këtij departamenti, Qeveria e tanishme në krye me kryeministrin Avdullah Hoti, para dy ditëve në mbledhjen e Qeverisë vendosën që ky departament të shuhet.

Në mbledhjen e Qeverisë kryeministri i vendit Avdullah Hoti tha që nuk mund të ketë dëmtim të proceseve me shuarjen e kësaj task-force pasi që, sipas tij, ndarja e kompetencave është e rregulluar me ligj.

“Ky është vendim i vitit 2010, ku parashihen obligimet që qeveria i ka krijuar për prokurorinë speciale, për EULEX që në fakt është ndarja e pushteteve, qeveria nuk merr vendime për të kërkuar nga prokuroria speciale sesi organizohen, prokuroria speciale dhe format e tjera të ligjit organizohen në përputhje me ligjin. Mandati i EULEX 2010-2020 ka ndërruar dhe mendoj që vetëm hap rrugë, besoj që janë ligjet që tregojnë sesi duhet të organizohen  institucionet”, tha Hoti.

Kundër vendimit për shuarjen e Departamentit Special Anti Korrpsion ishte Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili kërkoi që kabineti qeveritar të ‘mos ngutet’ me marrjen e këtij vendimi por që të bëjë një rishikim të punës së deritanishme të kësaj task force.

“Unë e di që me këtë task-forcë ekzistojnë shumë pikëpyetjeje sepse funksionon që 10 vite dhe normalisht që ka hapësirë për mu përmirsmu, unë kisha shpreh si nevojë që pikë se pari të shikojmë reflektimin e të gjeturave të rishikimit funksional për këtë task-forcë dhe t’i shohim rastet të cilat janë të profilit të lartë që janë në procesin se si do t’i zbarkojmë në institucionet e tjera, sepse shfuqizimi i menjëhershëm mund t’i dëmtojë disa raste që janë në procesi”, tha Selimi.

Në lidhje me shuarjen e Departamentit Special Antikorrupsion ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke thënë se kjo task forcë ka hetuar raste komplekse.

“Që nga funksionalizimi i kësaj Task Force rastet më komplekse dhe të nivelit të lartë, ku të përfshirë kanë qenë figura politike të partive kryesore si PDK, LDK, AAK, parti të tjera dhe zyrtarëve të lartë publik janë hetuar nga kjo Task Forcë. Në këtë drejtim vendimi i Qeverisë për të shqyrtuar mundësinë e shfuqizimit dhe shpërbërjes së kësaj Task Force pa asnjë konsultim publik qoftë në rrafshin institucional apo në raport më partnerët ndërkombëtare dhe shoqërinë civile mund të shihet si hakmarrje e politikës ndaj zyrtarëve të kësaj Task Force”, thuhet në reagim.

Sipas KDI-së, për punën e këtij Departamenti, Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian, ka kërkuar që të promovohet puna e kësaj Task Force, duke përfshirë kërkesën që kjo Task Forcë të specializohet edhe më tutje për të ushtruar mandatin e saj në shërbim të PSRK-së.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës po ashtu bie në kundërshtim edhe me vet procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, i cili proces ka bërë vlerësimin e detajuar të punës së kësaj Task Force, duke ofruar edhe rekomandime konkrete për të përmirësuar integritetin dhe performancën e kësaj Task Force, por në asnjë rrethanë shuarjen dhe shpërbërjen e saj”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Sipas Institutit, tendenca e Qeverisë së Kosovës për të shuar institucione që veprojnë për më shumë se 10 vite në luftën kundër korrupsionit, pa analizë dhe konsultim publik më akterët kompetent në Kosovë, shihet si hakmarrje e Qeverisë për hetimet e kryera nga kjo Task Forcë ndaj një numri të madh të anëtarëve të partive politike që kanë pozita udhëheqëse, e veçanërisht të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, raste të cilat kryesisht kanë dështuar në organet e ndjekjes dhe gjyqësorit.

“Vendimi për shuarjen e kësaj Task Force hyn në vazhdën e vendimeve ad-hoc të Qeverisë dhe shkarkimit të Drejtorit të Policisë, Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Drejtorit të Doganave të Kosovës, pa analizë adekuate, pa informim adekuat të publikut lidhur me bazën mbi të cilat janë bazuar këto vendime dhe që në publik perceptohen si mjete për të kapur institucionet kryesore ligj-zbatuese në Kosovë që kanë kompetencë luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit”, thuhet në reagim.

IKD ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës, që mos të ndërmerr veprime të një anshme, që cenojnë drejtpërdrejtë politikat e veta, duke marrë vendime, të cilat në publik kuptohen si vendime të marra në qëllim të kapjes së institucioneve të pavarura. Ky propozim vendim për shuarjen e Task Forcës, bie në kundërshtim me procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, hedhë poshtë të gjitha investimet e bëra nga partnerët ndërkombëtarë në profilizimin e hetuesve në luftën kundër korrupsionit dhe paraqet mesazhin më të keq për institucionet e pavarura se kushdo që vepron në kundërshtim me interesat e politikës, do ta ketë fatin e njëjtë.