Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Qeveria pritet ta shuajë Departamentin Special Antikorrupsion

Qeveria e Kosovës pritet që në mbledhjen e sotme ta shfuqizojë vendimin e saj të vitit 2010 ku ishte themeluar Departamenti Special Antikorrupsion në Kosovë, që për qëllim kishte pasur hulumtimin dhe luftimin e dukurive korruptuese në Kosovë.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të Qeverisë është paraparë shfuqizimi i këtij vendimi të Qeverisë.

Ky departament është përbërë nga 8 prokurorë, ku 3 prej tyre kanë qenë prokurorë që janë emëruar nga autoriteti i EULEX-it.

Vendimi që pritet të shfuqizohet sot, u garantonte prokurorëve mbrojtje të afërt fizike.

“Prokurorët dhe familjet e tyre do të kenë në dispozicion mbrojtën e afërt fizike”, thuhej në mes tjerash në vendimin e 2010.

Përveç prokurorëve, në këtë departament kanë qenë edhe 30 oficer hetues të Policisë së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë qëllim merr përsipër përzgjedhjen dhe rekrutimin e 30 oficerëve hetues të Policisë së Kosovës, të cilët do të angazhohen drejtpërdrejt në hetimin e rasteve, të cilat do të hetohen nga Departamenti Special Antikorrupsion”, thuhet në vendimin e Qeverisë.