Emiljano Shullazi | Foto kortezi nga Policia e Shtetit

Shtyhet për herë të 14-të gjyqi ndaj Emiljano Shullazit

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shtyu të hënën për herë të 14-të seancën gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit.

Pas nisjes së gjykimit në Apelin e Krimeve të Rënda në 21 janar, ka qenë e pamundur që të procesi të vijojë rregullisht. Seancat gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve apo si pasojë e shkarkimit nga detyra të ish-kryesuesit Fehmi Petku nga vetingu si dhe largimit të gjyqtarëve Sokol Binaj, Nure Dreni, Saida Dollani dhe Valdete Hoxha, pasi kishin shqyrtuar çështje të tjera me të pandehurit apo dëshmitarët e këtij proces.

Ndërkohë, edhe pse trupa gjykuese arriti të formohej të hënën, gjyqtari Arben Vrioni – i caktuar së fundmi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, u kontestua nga i pandehuri Gilmando Dani. Dani kërkoi dorëheqjen e Vrionit  me pretendimin se kishte gjykuar çështjen e dëshmitarit Ylvi Beqja në një tjetër proces.

Kjo është hera e dytë që KLGJ e plotëson trupën gjykuese të Apelit të Krimeve të Rënda që po shqyrton çështjen ndaj Emiljano Shullazit dhe katër pandehurve të tjerë, të akuzuar si bashkëpunëtorë të tij në  gjobëvënie e shantazhe.

Në të dyja rastet të pandehurit kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve të komanduar nga KLGJ, me pretendimin se kanë shqyrtuar çështjen gjyqësore “Vollga” – ku përfshihet dëshmitari Ylvi Beqja.

Më parë, në seancën e datës 23 maj, ish-kryesuesja e trupës gjykuese, Saida Dollani, njoftoi se KLGJ kishte plotësuar mungesën e Kolegjit Penal të Krimeve të Rënda me gjyqtaren Valdete Hoxha.

Por, gjatë kësaj seance, mbrojtësi ligjor i Emiljano Shullazit, avokati Vladimir Meçe e kontestoi komandimin e kryer nga KLGJ.

“Nuk kemi ndonjë gjë personale me gjyqtaren Valdete Hoxha, por ka marrë pjesë në një çështje penale ku kërkues ka qenë Ylvi Beqja,” tha Meçe në seancën e 23 majit.

Në seancën e 6 qershorit, ish-kryesuesja e trupës gjykuese, njoftoi ndryshimin e trupës gjyqësore, pas pranimit të kërkesës për dorëheqje të gjyqtares Valdete Hoxha.

Dollani tha atëherë se, Këshilli i Lartë Gjyqësor e kishte zëvendësuar gjyqtaren Hoxha me kolegen e saj Etleva Temo dhe anëtarja e tretë vazhdonte të ishte gjyqtarja Albana Boksi.

Por, një kërkesë e të pandehurit Blerim Shullazi për përjashtimin e kryesueses Saida Dollani u pranua nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dhe seanca e 18 qershorit dështoi sërish të kryhej pasi gjyqtari i caktuar nga KLGJ, Arben Vrioni nuk u paraqit për arsye shëndetësore.

Gjatë kësaj seance i pandehuri Gilmando Dani i tha kryesues Albana Boksi se edhe ajo duhej të tërhiqej pasi kishte gjykuar çështjen “Vollga”. Ai tha se edhe gjyqtarët e tjerë që e kishin shqyrtuar atë çështje ishin dorëhequr.

Ndërkohë, të hënën i pandehuri Gilmando Dani ngriti të njëjtin pretendim për gjyqtarin Arben Vrioni.

“Gjyqtari ka gjykuar Ylvi Beqën. Të dorëhiqet ashtu si të tjerët. ‘Jeni shumë pis, në thonjëza’. Të bëjë dorëheqjen sipas ligjit. Do ta bëjmë edhe ne kërkesën”, tha ndër të tjera i pandehuri Gilmando Dani duke ju drejtuar gjyqtarit Arben Vrioni dhe kryesueses, gjyqtares Albana Boksi.i.

Gjatë seancës së të hënës, pasi të pandehurit kërkuan të përfaqësohen nga mbrojtësit ligjorë të zgjedhur prej tyre, trupa gjykuese vendosi t’i  njoftojë avokatët e tyre për zhvillimin e seancës së radhës më datë 26 korrik, ora 12:00. Gjithashtu, u vendos të njoftohen për zhvillimin e seancës edhe të dëmtuarit.

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, akuzohen për shtrëngim për dhënie pasurie; shkatërrim të pronës me lëndë plasëse e kanosje ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku, si edhe kërcënimin për t’u tërhequr nga gara për rektor të dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni, e kanosjen e rektorit Dhori Kule.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda vendosi të dënojë Emiljano Shullazin me 14 vjet burg, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Gilmando Dani me 12 vjet burg, Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazin me 9 vjet burg. Grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës. (reporter.al)