Emiljano Shullazi | Foto kortezi nga Policia e Shqipërisë

Emiljano Shullazi Zbatoi Drejtësinë e Munguar në Durrës?

lvi Beqja, përfaqësues në Shqipëri i kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company” u gjend në vorbullën e debatit publik pas arrestimit të Emiljano Shullazit-një personazh i njohur i botës së krimit, ndërsa prokuroria e cilëson si dëshmitar kyç për zbardhjen e kalimit të 20 për qind të ish-hotel Vollgës në portofolin e të arrestuarit.

I sapokthyer nga Arabia Saudite, Beqja nuk ka dëshmuar ende në prokurori, por shfaqet i qetë në një prej kafeve të shumta të Tiranës.

“Dhurimi ishte më e pakëta që mund të bëja”, thotë Beqja për BIRN.

“Shullazi më shpëtoi nga hallet pas vitesh të tëra që përballesha me kërcënime dhe procese të padrejta gjyqësore”.

Përgjatë dekadës së fundit, pronësia e ish-hotel Vollgës ishte kthyer në problemin kryesor të Ylvi Beqes-godina e rrënuar shtrihet mbi një sipërfaqe të gjerë prej 3426 metra katrorë në një prej vendeve më të lakmuara në qendër të Durrësit.

E rifituar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave dhe e shitur tek kompania arabe për 800 mijë euro në vitin 1994, prona u bë më pas objekt i një kalvari të gjatë gjyqësor që ende vazhdon.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania arabe “Saudi Brothers Commercial Company”, e zotëruar nga sheiku Abdulaziz Al Nowaiser e bleu këtë pronë nga Agim Sula, përfaqësuesi me prokurë i Alije Fortuzit vjeshtën e vitit 1994. Kompania po planifikonte ndërtimin e një kazinoje në qendër të Durrësit në atë kohë, por dështoi të marrë lejen, ndërsa trazirat e vitit 1997 e larguan nga Shqipëria.

“Kërcënimet u ndalën, pengesat u shuan dhe rifitova rehatinë e mëparshme”

Për vite të tëra, ish-hoteli u la në degradim të lirë, por një pretendent i ri për pronësinë u shfaq në Durrës në vitin 2002. Zanmir Hasa, djali i adoptuar i Alije Fortuzit iu drejtua gjykatës së Durrësit me një padi kundër administratorit të kompanisë arabe dhe Agim Sulës, duke pretenduar se prokura e përdorur në vitin 1994 për shitjen e pronës ishte e paligjshme.

Padia solli një reaksion zinxhir procesesh gjyqësore mes përfaqësuesve në Shqipëri të kompanisë arabe dhe Zanmir Hasës, ndërsa shumë konflikte u gjeneruan ndër vite mes palëve.

Ylvi Beqja, i emëruar si administrator i “Saudi Brothers Commercial Company” në vitin 2009 i tha BIRN se ishte i bindur që e drejta ishte në anën e tyre dhe se ishte përpjekur për vite të tëra ta gjente atë në dyert e gjykatës dhe prokurorisë, por kishte dështuar.

Në intervistën për BIRN, Beqja pranoi se iu drejtua për zgjidhje Emiljano Shullazit pasi ishte i pashpresë. Pohon se gjendej nën kërcënim të vazhdueshëm për jetën e tij dhe të djalit, ndërkohë që haste pengesa të pakapërcyeshme për regjistrimin e pronës në hipotekë.

Pas marrëveshjes me Shullazin, Beqja thotë se “kërcënimet u ndalën, pengesat u shuan dhe rifitova rehatinë e mëparshme”.

“E takova Milin dhe i shpjegova hallin që kisha, me drejtësinë dhe me kërcënimet”

Emiljano Shullazi u arrestua më 19 prill me urdhër të Prokurorisë, ndërsa ishte shoqëruar nga policia si i dyshuar për kërcënimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Prokuroria e akuzoi atë për gjobëvënie ndaj bizneseve të ndryshme, kërcënime me tritol dhe krime të realizuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Mes çështjeve nën hetim gjendet edhe rasti i ish-hotel Vollgës, ku Emiljano Shullazi është bërë pronar i 20 për qind të pronës përmes një kontrate dhurimi të firmosur nga Ylvi Beqja. Prokuroria dyshon se kompania Saudit Brother ” është shtrënguar t’i japë 20 për qind të pronës Shullazit. Ylvi Beqja dëshmon për të kundërtën.

Në dhjetor 2014, Beqja në cilësinë e administratorit të “Saudi Brothers” i ka dhuruar Emiljano Shullazit “në shenjë mirënjohjeje” 749 metra katrorë truall brenda sipërfaqes ku ndodhet ish-hotel Vollga, sipas dokumenteve që BIRN disponon.

Megjithatë, akti i dhurimit erdhi në fund të një procesi negociatash, marrëveshjesh dhe rezultatesh-të cilat Shullazi rezulton t’i ketë kryer me përpikmëri në favor të kompanisë arabe, para se të shpërblehej prej saj.

Zyra përmbarimore “Shullazi”

Gjatë dekadës së fundit, ish-hotel Vollga është kthyer në një trofe konfliktesh mes dy palëve; mbi 15 procese gjyqësore me objekte të ndryshme janë zhvilluar në të tria shkallët e gjyqësorit.

Përveç gjyqeve, disa kallëzime penale janë depozituar në prokurori për falsifikim të akteve të pronësisë apo për kërcënime.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se vendimet ishin kontradiktore dhe në vend që të zgjidhnin konfliktin, i kanë shtyrë palët ta kërkonin zgjidhjen tek grupet e të fortëve.

Ylvi Beqja i tha BIRN se Emiljano Shullazin e njihte që në fillim të viteve ’90 si djalë lagjeje dhe se “kishte mbajtur kontakte me të”.  Ai vendosi ta takonte sërish gushtin e vitit 2013, kohë sipas së cilit gjyqet shtyheshin pa fund, ndërsa persona të interesuar për të ndërtuar në truallin e ish-hotel Vollgës i kërkonin të firmoste një kontratë investimi në dëm të kompanisë që përfaqësonte.

Faksimile e kontratës nidis Ylvi Beqja dhe Emiljano Shullazit | Foto nga BIRN
Faksimile e kontratës nidis Ylvi Beqja dhe Emiljano Shullazit | Foto nga BIRN

Për të realizuar takimin, Beqja u rikthye në shtëpinë e vjetër në rrugën “Kongresi i Lushnjes” – zonë ku Shullazi banon.

“E takova Milin dhe i shpjegova hallin që kisha, me drejtësinë dhe me kërcënimet. Më dëgjoi dhe mori përsipër të më ndihmonte, pasi çështjen time e vlerësoi si shumë serioze”, thotë Beqja.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se pakti i bërë në gusht 2013 nuk ishte thjesht “një nder mes miqsh të vjetër”. Beqja dhe Shullazi nuk u kanë besuar fjalëve dhe kanë shkuar para noterit për të firmosur 4 marrëveshje në letër me detyra dhe detyrime të qarta për secilën palë. Në kontratë, Beqja paraqitet si “porositësi” dhe Shullazi si “i porosituri”.

Beqja thotë se ka marrë pëlqimin e pronarit të kompanisë dhe se ka firmosur “me vullnet të lirë”.

Marrëveshja të cilën BIRN e disponon mban datën 18 gusht 2014, me titull “Rregullim i marrëdhënieve të porosisë së shërbimeve me shpërblim, që i porosituri do të kryejë gjatë procedurave ligjore”.

Marrëveshja i ngarkon Shullazit dy detyra: marrjen e certifikatës së pronësisë në emër të “Saudi Brothers Commercial Company” nga zyra e regjistrimit të pasurive në Durrës dhe zgjidhjen e konfliktit të pronësisë mes kompanisë dhe shtetasit Zanmir Hasa.

Sipas marrëveshjes, nëse Shullazi i përmbush detyrimet e tij do të shpërblehet me 20 për qind të vlerës së objektit.

“Në përmbushje të plotë  të detyrimeve të marra përsipër prej tij në këtë kontratë, i porosituri do të përfitojë 20 % të vlerës së objektit, të ndara në 10%  për pikën 1 në vlerën e 700.000 eurove dhe 10% për realizimin e detyrimit  të marrë përsipër nga i porositur në pikën 2”,thuhet në kontratë.

Në marrëveshjen e nënshkruar para noterit, Shullazi merr përsipër që “të kryejë veprimet e nevojshme me burimet, mjetet dhe shpenzimet e veta”.

Kontrata noteriale mes Ylvi Beqes dhe Emiljano Shullazit është nënshkuar disa muaj pasi gjykata e rrethit Durrës kishte marrë vendim në favor të kompanisë “Saudi Brothers”. Më18 shkurt 2013, vendimi i gjykatës urdhëron hipotekën e Durrësit që të njohë si pronar të truallit dhe të dy godinave në qendër të Durrësit kompaninë “Saudi Brothers”.

Megjithatë, ky vendim është ekzekutuar vetëm pas hyrjes së Emiljano Shullazit në lojë. Në nëntor 2014, hipoteka e Durrësit i kalon pronësinë “Saudi Brothers”. Menjëherë pas regjistrimit të pasurisë, më 13 nëntor, Ylvi Beqja in shet Fejzi Kodrës sipërfaqen prej 1749 metra katrorë për 671 mijë euro.

Më 9 dhjetor 2014, Beqja firmos kontratën përfundimtare me Emiljano Shullazin duke i dhuruar atij pjesën e mbetur të pronës, në këmbim të shërbimeve që kishte marrë.

“Jam i lumtur që e nënshkrova këtë kontratë. Jeta në familjen time ishte bërë një ferr kërcënimesh, telefonatash dhe gjobash para saj”, justifikohet Beqja.

Seriali i padive gjyqësore

I ndërtuar si një ndër hotelet më luksoze të kohës në vitin 1938, historia e ish-hotel Vollgës gërshetohet ngushtë me periudha të ndryshme historike të qytetit të Durrësit. Hoteli i ndërtuar nga italianët ndërroi disa herë emër, ndërsa pas viteve ’90 fama e tij u shua.

Megjithatë, trualli mbi të cilën ngriheshin dy godinat dhe pozicioni i favorshëm në qendër të Durrësit e bënë atë një pronë të lakmueshme pas viteve ’90.

Dokumentet që BIRN disponon tregojnë se para se të blihej nga biznesmeni arab, trualli 3428 m2 dhe dy godinat iu njohën si pronë Alije Fortuzit, një grua e moshuar që jetonte në Greqi që para Çlirimit. Fortuzi autorizoi nipin e saj, Agim Sula që të merrej me çështjen e pronave në Shqipëri dhe në mars 1994, ai siguron një vendim gjykate dhe një të dytë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të drejtën e pronësisë.

Në mars-prill 1994, trualli së bashku me ish-hotel Vollgën dhe një shtëpi dy-katëshe regjistrohen në emër të Alie Fortuzit në regjistrin hipotekor.

Pesë muaj më vonë, Agim Sula hyn në pazar me Muhamed Abdullah Bawazeer-përfaqësuesi në Shqipëri i biznesmenit Abdulaziz Al Nowaiser dhe vendos t’ia shesë pronën për 800 mijë USD. Kontrata noteriale mes të dyve firmoset më 3 tetor 1994 dhe një ditë më pas, ish-hotel Vollga regjistrohet në hipotekë në emër të Saudit Brother Commercial Company”.

Faksimile e kontratës së sipërmarrjes midis Zanmir Hasa dhe K&K Group Sh.p.k | Foto nga BIRN
Faksimile e kontratës së sipërmarrjes midis Zanmir Hasa dhe K&K Group Sh.p.k | Foto nga BIRN

Për 4 vjet, çështja e ish-hotel Vollgës është konsideruar e mbyllur. Por në shtator 1998, Alije Fortuzi ka paditur nipin e saj, Agim Sula në Gjykatën e Selanikut, duke e akuzuar për përvetësimin e më shumë se gjysmës së parave të përfituara nga shitja e hotelit.

Hetimi i vitit 1999 në Selanik, një kopje e së cilit zotërohet nga BIRN legjitimon prokurorën e përfaqësimit të Agim Sulës si të rregullt, por e akuzon atë për përvetësimin e rreth 400 mijë USD nga vlera totale e pronës. Sipas hetimit, Sula kishte shkuar në Selanik pas shitjes së hotelit dhe kishte informuar Alije Fortuzin se e kishte shitur atë për 400 mijë USD-gjysma e vlerës reale.

Këstin e parë të parave, 675 000 dollarë ai i kishte depozituar në llogarinë e tij personale në Bankën Zvicerane, prej nga transferoi 337 500 dollarë në llogarinë e Fortuzit. Më pas gjatë procesit, Agim Sula pretendoi se i kishte dhuruar 200 mijë dollarë misionit “Nënë Tereza” në Tiranë për ngritjen e një shtëpie për gra të moshuara.

Sula e përshkroi këtë donacion si “dëshirë të vjetër” të tezes së tij, por dokumentet e hetimit në Selanik tregojnë se paditësja Fortuzi mohoi të kishte autorizuar një porosi të tillë.

Deri në dhjetor 2002, askujt nuk i bie ndërmend për ish-hotelin e famshëm, që degradonte nga dita në ditë. Por Zanmir Hasa, djali i adoptuar i Alije Fortuzit pretendon pronësinë pas vdekjes së saj.

Emigrant në Greqi prej vitesh, Hasa ishte punësuar nga Alije Fortuzi për t’u kujdesur për shtëpinë dhe kopshtin e saj, duke iu bërë krah në ditët e pleqërisë. Sipas dokumenteve të paraqitura prej Hasës, ai ishte adoptuar nga Alije Fortuzi.

Në vitin 1999, një gjykatë në Selanik e njeh Zanmir Hasën si djalin dhe trashëgimtarin e radhës së parë të Alije Fortuzit. Në nëntor 2002, Hasa njihet si trashëgimtar edhe nga drejtësia shqiptare, përmes një vendimi të Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Prej vitit 2002, Zanmir Hasa nisi një beteje të gjatë ligjore me përfaqësuesit e kompanisë “Saudi Brothers” dhe Agim Sulën-nipin e nënës së tij adoptuese për ish-hotel Vollgën. Argumenti i tij në gjykatë ishte se Agim Sula nuk ishte i pajisur me prokurorë të rregullt dhe as ishte autorizuar të shiste pronën në Durrës nga Alije Fortuzi.

Përmes avokatit të tij, Mirjan Moçi, Hasa i drejtohet fillimisht Gjykatës së Durrësit për të shpallur të pavlefshme kontratën e shitjes. Më 13 mars 2003, trupi gjykues i përbërë nga Flora Hysi, Luljeta Toplli dhe Majlinda Andrea i jep atij të drejtë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se “shitja e ish-hotel Vollgës është bërë nga një person i pajisur me prokurorë jo si akt noterial-forma që e kërkon ligji”. Gjykata anulon gjithashtu kontratën e shitjes, duke detyruar Mohammmed Abdullah Bawazeer t’i kthejë pronën trashëgimtarit Zanmir Hasa. Sipas këtij vendimi, prona kalon në regjistrin hipotekor nga “Saudit Brothers CC” tek Zanmir Hasa.  Përfaqësuesit e kompanisë arabe kundërshtojnë vendimin që i jep të drejtë Zanmir Hasës, duke e cilësuar të paligjshëm gjyqin e vitit 2003, për të cilin pretendojnë se u zhvillua në mungesë të tyre.

E ndërsa proceset gjyqësore vazhdonin, Zanmir Hasa siguron një leje ndërtimi nga Këshilli i Rregullimit të Territorit Durrës për zhvillimin e pronës në vitin 2009. Para marrjes së lejes së ndërtimit, Hasa kishte nënshkruar një kontratë investimi me kompaninë “K& K Group”, sipas së cilës ai përfitonte 40 % të një pallati 6+3 kate.

Ylvi Beqja i tha BIRN se përballjet gjyqësore u bënë më të vështira pas marrjes së lejes së ndërtimit nga pala kundërshtare. Paralelisht me proceset gjyqësore, Beqja iu drejtua me kallëzim edhe në Prokurorinë e Durrësit, kundër zyrës së hipotekës.

Në vitin 2010, Prokuroria e Durrësit arriti në përfundimin se “zyra e regjistrimit të pasurisë ka falsifikuar historikun e pronës dhe të truallit, duke fshirë nga kartela e pronësisë shoqërinë tregtare saudite”. Sipas prokurorit Agim Shehu, vendimi gjyqësor i 13 marsit 2003 nuk duhej të transkriptohej në regjistrat e hipotekës, por ai e ka pushuar hetimin për shkak se afatet ligjore të dënimit të kësaj vepre penale ishin parashkruar.

Beqja iu drejtua Prokurorisë me një kallëzim të dytë për kërcënimin e tij dhe të familjes. Autori i kërcënimit u hetua, dhe sipas tij u dënua me 50 mijë lekë gjobë në fund të procesit.

“Që prej këtij momenti nuk i kallëzova më kërcënimet. E kujt t’i drejtohesha, atyre që pushonin çështjet? Qe e kotë”, thotë Beqja.

Në shkurt të 2013, Gjykata e Rrethit Durrës vendosi në favor të “Saudi Brother Commercial Company”, duke urdhëruar hipotekën e Durrësit të anulonte ndryshimin e pronësisë së vitit 2003.

Aktualisht, çështja i ka kaluar sërish Gjykatës së Lartë, por Zanmir Hasa, i cili jeton në Selanik duket se ka humbur edhe mbështetjen e avokatëve të tij. BIRN kontaktoi me avokatët Mirjan Moçi dhe Arben Qeleshi, të cilët e kanë përfaqësuar atë në periudha të ndryshme kohore dhe të dy pohuan se “kishin hequr dorë nga çështja”.

Të pyetur nëse klienti i tyre ishte kërcënuar, Moçi dhe Qeleshi thanë se nuk ishin në dijeni të ndonjë fakti të tillë.

I bindur ende se klienti i tij kishte të drejtën e pronësisë, avokati Moçi i tha BIRN se ishte tërhequr nga çështja, pasi nuk kishte mundësi ta mbronte atë në Gjykatën e Lartë në Tiranë.

Ndërsa avokati Arben Qeleshi thotë se u tërhoq vite më parë, pasi “çështja nuk e bindtte”.

“Në një moment të caktuar pashë që çështja e tij ishte e dobët. Megjithatë, për mua kjo pronë duhej të shtetëzohej nga shteti, pasi referuar ligjeve të kohës, ishte e paligjshme që trualli t’i shitej një kompanie të huaj”, tha Qeleshi.