Shqipëri, Apeli lë në fuqi dënimin me 14 vjet burg për Emiljano Shullazin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten lënien në fuqi të vendimit të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për dënimin Emiljano Shullazit dhe katër të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij për zhvatje pasurie, kërcënim e grup të strukturuar kriminal.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Miliana Muça dhe gjyqtarët Daniela Shirka e Astrit Kalaja. Kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit vendosi mospranimin e ankimit të kryer nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, që nuk e quajti të drejtë vendimin e shkallës së parë, pasi i shpalli pesë të pandehurit të pafajshëm për dy episode të tjera për të cilat ishin akuzuar.

Më 13 nëntor 2018, ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënoi për krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe zhvatjen e pasurisë e kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka të pandehurin Emiljano Shullazi me 14 vjet burg, Gilmando Danin me 12 vjet burg, Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën me nga 10 vjet burg, si dhe Blerim Shullazin me 9 vjet burg.

Ndërkohë, grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.

Sipas koordinatores për marrdhënien me median në SPAK, Xhulieta Krasta, dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Ened Nakuçi kanë hequr vetë dorë gjatë shqyrtimit të çështjes në Apel nga ankimi i kryer më parë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Procesi në Apel për Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij nisi prej janarit të vitit 2019 dhe u finalizua me vendim vetëm të premten, pas afro tre vitesh. Dhjetëra seanca të këtij procesi dështuan për shkak të mosparaqitjes së avokatëve, për shkak të mosnjoftimit të tyre, për pamundësinë e formimit të trupit gjykues, si dhe për shkak të largimit të pandehurve apo mosparaqitjes së ndonjë prej tyre. (reporter.al)