Ilustrim
Shtatë të burgosur fillojnë punën jashtë burgut
Shtatë persona, të cilët janë në vuajtje të dënimit në burgun e hapur të Smrekonicës, kanë filluar punën jashtë këtij institucioni.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shërbimi Korrektues i Kosovës me anë të një njoftimi.
“Shërbimin Korrektues i Kosovës ka filluar zbatimin e Udhëzimit Administrativ në Qendrën Korrektuese të tipit të hapur të Smrekonicës për punën e të burgosurve jashtë institucionit korrektues, me ç ‘rast shtatë të dënuar kanë filluar punën jashtë këtij institucioni”, ka njoftuar ShKK.
Tutje thuhet se puna e të burgosurve është një aktivitet i nevojshëm drejt risocializimit të suksesshëm dhe përgatitjes së tyre për t’u rikthyer në shoqëri si individ të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë.
“ShKK është duke e realizuar misionin e saj ligjor për parandalimin e përsëritjes së krimit në të ardhmen, duke synuar një shoqëri ku sundon ligji”, thuhet në njoftim.
Madje ShKK është shprehur edhe se pret nga shoqëria e gjerë që t’i pranojë të burgosurit e punësuar në komunitet si pjesë jetës dhe punës në mjedisin e saj, si dhe të ndihmojë ShKK-në në misionin e risocializimit dhe riintegrimit të të burgosurve në shoqëri në Republikën e Kosovës.