Dezifektimi ne Komunen e Kllokitit Foto: KALLXO.com

Shtabi emergjent i Komunës së Kllokotit bën përgatitje për ta luftuar COVID-19

Komuna e Kllokotit, që është shumë afër me komunën e Vitisë, ku ishte shfaqur rasti i parë i infektuar me COVID-19, ka formuar shtabin emergjent dhe ka bërë dezinfektimin e institucioneve, shkollës dhe objekteve fetare.

Në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com, nënkryetarja për komunitete në Komunën e Kllokotit, Selvije Rexhepi ka thënë se shtabi emergjent është formuar dhe ka filluar punën që nga 13 marsi.

“Shtabi ka filluar punën me 13 mars, prej kur është shfaqur rasti i parë në Kosovë. Ne si shtab jemi takuar kohë pas kohë për t’u marrë me aktivitet”, tha Rexhepi për KALLXO.com

Tutje, Rexhepi ka bërë të ditur se si komunë kanë ndarë një objekt alternativ në rast se virusi COVID-19 shfaqet në Kllokot.

“Kemi nda një objekt alternativ në rast se shfaqet pandemia edhe në komunën e Kllokotit”, tha në mes tjerash nënkryetarja për komunitete.

“Shtabi emergjent në komunën e Kllokotit është duke punuar. Kemi bërë dezinfektimin e objekteve të institucioneve, kemi bërë dezinfektimin e objekteve fetare, të shkollës në fshatin Mogillë si dhe kemi shpërnda ndihma”, u shpreh ajo.

Deri më tani në Kosovë janë prekur me virusin COVID-19 387 persona, ku 66 janë shëruar dhe 9 kanë vdekur.