Shqipëri, policia shpëton një shqiponjë që ishte keqtrajtuar e lidhur në portë - VIDEO

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një veteriner, kanë shpëtuar një shpend (shqiponjë) që ishte keqtrajtuar në fshatin Buhal, rast për të cilin Policia u njoftua nga shtetasja S. L.

Në njoftimin në facebook, policia ka njoftuar se ende është duke vijuar puna për identifikimin e shtetasit që ka plagosur dhe ka lidhur shpendin, në një portë, me qëllim balsamosjen të gjallë.

“Rasti, me një impakt të lartë publik në rrjetet sociale, u vlerësua me seriozitet dhe menjëherë nga shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e këtij krimi që parashikohet dhe ndëshkohet nga neni 207/c i Kodit Penal”- thuhet në njoftimin e poliicë.

Tutje policia sqaron se shpendi shqiponja, aktualisht po merr ndihmë të specializuar mjekësore nga veterineri, i cili ka asistuar shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve për lirimin e shpendit, nga porta ku ishte lidhur.