Flet kameramani i arrestuar, thotë se Policia ka pas sjellje të vrazhdë

Kameramani i cili u arrestua sot nga Policia e Kosovës, Albion Selitaj në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se Policia ka reaguar nën afekt dhe sjellja e tyre ka qenë e vrazhdë.

“Ne kemi insistu të xhirojmë ngjarjen, ndërsa ata [Policia] me dal ne jashtë”, tha Selitaj.

I njëjti ka shtuar se qëllimi i tij i vetëm ka qenë që të kryej detyrat që i ka marr nga redaksia.

“Qëllimi jonë është me përcjell ngjarjen, me qenë sa ma afër publikut”, ka thënë ai.

I njëjti ka shtuar se është detyrë e tij të raportoj se çfarë është duke ndodhur.

“Rezistenca e vetme ke me na leju me kry punën tonë”, ka thënë ai.

I njëjti ka kërkuar falje publike ndaj Policisë.

“Nëse unë e kam pengu punë e Policisë kërkoj falje publike”, ka shtuar tutje ai duke thënë se qëllimi i tij i vetëm ka qenë që ta kryej punë e tij të caktuar nga redaksia.

Arrestimi i kameramanit ndodhi gjatë kohës kur ky i fundit ishte duke përcjellë një ngjarje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

I njëjti është larguar me dhunë nga zyrat e Ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, kjo pas kërkesës që kishte Policia që mediat ta lirojnë sallën.