Shpaloset puna me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjatë ditës së sotme në hapësirat e Fakultetit Filozofik të Universitetin të Prishtinës “Hasan Prishtina”, organizata “Medica Gjakova” ka shpalosur punën ndër vite me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Fillimi i këtij aktiviteti u nis me transmetimin e një filmi për disa nga rrëfimet e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të dhënat nga punëtorët e kësaj organizate dhe njohës të çështjeve lidhur me sfidat kryesore dhe stigmën nëpër të cilat kalojnë këto gra.

Lidhur me këtë temë, Erëblir Kadriu theksoi se viktimat e dhunës gjatë luftës duhet të trajtohen me dinjitet sepse kjo temë është e ndjeshme.

Ai gjithashtu foli për sfidat që pengojnë riintegrimin e këtyre personave.

“Edhe gjatë filmit e pamë që u fol për ndjenjëne turpit dhe fajsisë. Kjo është pengesë e madhe për ri-integrimin e tyre më shoqëri. Kur shmangemi nga këto ndjenja na ndihmon që t’i shmangemi stigmës dhe paragjykimit”, tha ai.

Si pengesë Kadriu përmendi edhe sfidat në aspektin ligjor.

“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjet e caktura. Një gjë e tillë është shumë e vështirë në kontekstin tonë dhe mund të pengojë më ri imtegrimin tonë”, shtoi Kadriu.

Në anën tjetër, Salie Gajtani përshkroi edhe sfidat gjatë shkrimit të këtij libri.

“Pjesa më e vështira ka qenë që t’i bindim personat të flasin të flasin sepse janë ndjerë të stigmatizuara dhe s’kanë guxuar të flasin”, tha ajo duke shtuar se këto gra s’duhet të ndjehen fajtore për atë që ju ka ndodhur.

“Të shkruash një rrëfim për të dhunuarit e dhunës seksuale është gjëja më vështirë… Këto rrëfime do të jetojnë përherë në mendjen time”, shtoi Gajtani Osmankaq.

Tutje, ajo përmendi se në shoqëri ende vazhdon të mbetet problem që viktimat e dhunës gjatë luftës të flasin publikisht.

“Shoqëria jonë ende nuk është gati që njerëzit të dalin publikisht dhe të flasin me emra për rrëfimin e ngjarjeve që u kanë ndodhur”, tha ajo teksa potencoi që bota duhet të dëgjojë për këto rrëfime.

“Ne duhet ti tregojmë botës edhe për këtë anë të vërtetë të luftës që është heshtur për vite” tha ajo.

Ndërkaq, Shpresa Frrokaj tha se është shumë e vështirë të perceptohet që në luftën e të vitit 98/99  janë bërë dhunime seksuale si mjet lufte.

“Kjo për shkak se ata nuk kanë pasur çështje të përfitimit seksual kur kanë dhunuar gratë dhe vajzat në vendin tonë por e kanë përdorur si mjet lufte në vendin tonë që gjeneratat që vijnë të jenë të mbijetuar indirekt të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha ajo.

Ajo shtoi se gjatë punës në Medica Gjakova ka qenë e nevojshme edhe puna me fëmijët e të dhunuarve gjatë luftës pasi që edhe këta fëmijë kanë pasur pasoja dhe trauma.

Frrokaj shtoi se ka pasur raste kur personat që kanë qenë viktima të dhunës në luftën e fundit kanë qenë më agresivë ndaj fëmijëve të tyre.

“Dje në Gjakovë e kemi pasur Ditën e Çlirimit por në organizatën tonë nuk ka ditë çlirimi asnjëherë. Çdo ditë është luftë, çdo ditë bisedohet për luftën, dokumentohet për luftën.. Për neve nuk ka ditë çlirimi deri sa ngjarjet e të dhunuarve gjatë luftës ta gëzojnë drejtësinë” përmbylli Frrokaj.

Në këtë aktivitet pjesë e panelit të diskutimit ishin: Erëblir Kadriu – asistent në UP, Salie Gajtani Osmankaq – bashkëautore e librit “Unë jam anemone” që flet për rrëfimet e 24 grave dhe një burri të dhunuar seksualisht gjatë luftës, dhe Shpresa Frrokaj – këshilluese psikosociale në organizatën “Medica Gjakova”.