Medica Shop. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtëpia në Gjakovë që krijon stabilitet financiar për gratë viktima të dhunës

Pesë minuta larg nga Çarshia e Vogël e Gjakovës gjendet një shtëpi e mbushur me fotografi, punime artizanale, kujtime e dhurata, dhoma për këshilla psiko-sociale e thënie shpresëdhënëse.

Shtëpia “Medica Gjakova” ka arritur të jetë puna e mbi 1800 grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dhunës në baza gjinore, në trevjeçarin e  fundit. Shtegu pesë minutësh të dërgon në tri pika të ndryshme të destinacioneve ndërmarrëse të kësaj organizate.

Në njërën anë dyqani ku shiten produktet e punuara, përgatitura dhe kultivuara nga gratë. Ndërsa, në tjetrën anë pika tharëse ku thahen bimët e mbledhura nga gratë dhe qumështorja “Ada” në të cilën punojnë katër gra të referuara nga organizata në kuadër të fuqizimit ekonomik  nga Medica Gjakova.

Drejtoresha e Medica Gjakova, Mirlinda Sada rrëfeu për KALLXO.com modalitetet se si kjo organizatë fuqizon gratë e mbijetuara nga dhuna dhe ato të dhunës në baza gjinore.

Sipas Sadës, arsyeja se pse kjo organizatë është vendosur në një shtëpi është krijimi i një ambienti të ngrohtë për gratë për shkak të ndjeshmërisë së rasteve.

“Objekti i Medica Gjakovës është një shtëpi për të krijuar një ambient të ngrohtë për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe dhunës në baza gjinore të cilat marrin shërbime nga qendra jonë. Ambienti është i ngrohtë për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, që ato kanë, të ndjehen si në shtëpitë e tyre edhe të lira të shprehen dhe të krijojmë një besim tek të mbijetuarat për t’u shprehur”, tha Sada.

Mirlinda Sada – Medica. Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Së pari, gratë trajtohen duke marrë shërbime psiko-sociale falas nga këshillueset e organizatës e pastaj vazhdojnë në fuqizimin ekonomik duke u marrur me ndërmarrësi në fushat e ndryshme duke filluar nga punimi i artizanateve, përgatitja e ushqimeve, mbledhja e bimëve, tharja e frutave, puna në qumështore, punimi i maskave, bizhuterive, xherxhefëve etj.

Viosa Meqa menaxhere e dyqanit tha se të gjithë punën për dyqanin e bëjnë gratë të cilat produktet i përgatitin në shtëpitë  tyre dhe i sjellin në dyqan, ose shkon dikush nga stafi i organizatës i merr.

“Në dyqanin e Medica Gjakova ka një llojllojshmëri të produkteve të ndryshme duke filluar nga produktet e freskëta, turshitë, bylmeti, fruta të thata, vezë, produkte punë dore dhe artizanale që i punojnë gratë”, rrëfeu Meqa.

Dyqani është i hapur për qëllim të fuqizimit ekonomik të grave, rrëfimit të historisë së tyre përmes punë së tyre dhe  për t’i përgatitur ato që të shndërrohen në gra ndërmarrëse.

Medica Shop. Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Dyqani është i hapur në kuadër të programit për fuqizim ekonomik. Ne gjatë gjithë kohës jemi në kërkim të grave dhe familjeve që merren me bujqësi. Nga bashkëpunim me këto gra, sjellin produktet e tyre për t’i shitur në dyqanin tonë apo edhe shkojmë i grumbullojmë, i marrim nga shtëpitë e tyre edhe i sjellim në dyqan”, tha Meqa.

Punime të ngjashme të këtyre grave para pak muajsh kanë nxënë vend edhe në Kuvendin e Kosovës me inicimin e deputetes  Donika Kada-Bujupi dhe mbështetjen e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit.

“Sot produktet që gratë e mbijetuara i punojnë gjenden në “Këndin e Kurajos” në Kuvendin e Kosovës, të cilat do të shërbejnë për t’iu dhuruar delegacioneve të ndryshme që vijnë në Parlament ose deputetët kur shkojnë nëpër vizita dhe dëshirojnë të dërgojnë ndonjë dhuratë të cilat janë të punuar nga gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale, ku secila dhuratë dhe secila punë dhe secili produkt i realizuar nga katër organizatat në Parlament përmban një pjesë të
historisë dhe dhimbjes që ato kanë përjetuar”, rrëfeu Sada.

Medica Workshop. Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sada tha që aktivitetin e tyre në organizatë ia ka ndaluar edhe pandemia që sipas saj ka ndikuar negativisht tek gratë të cilat kanë përjetuar trauma nga dhuna seksuale gjatë luftës.

Sipas saj, izolimi gjatë pandemisë ka bërë që t’i rikthejë ato në tmerrin e marsit, majit dhe
qershorit të viteve të luftës.

“Mbyllja ka ndikuar shumë keq sidomos në periudhat mars, maj dhe qershor pasi është periudha kur ato kanë përjetuar ngjarjen traumatike në vitin 1998-99, se ka qenë faza kur ka pas më së shumti dhunime. Edhe kjo periudhë kohore që ne jemi mbyllur prej pandemisë i ka rikthyer në ngjarjen që ka ndodhur në atë kohë. Ne është dashtë të i qëndrojmë afër në mënyrë që ti kthejmë në realitet dhe t’i ndihmojmë ta tejkalojnë këtë situatë. Se ato në fillim nuk kanë menduar për pandeminë se çka munden të bëjnë nëse infektohen me Covid-19, por çka do të bëjnë ato mbasi të hapet, pasi të përfundojë kjo periudhë e pandemisë, se e kanë lidh me ngjarjen që ju ka ndodh. Ka raste që kemi shkuar edhe i kemi takuar në shtëpi sepse rastet e dhunës edhe janë potencuar më shumë gjatë izolimit” tha Sada.

Ajo tha se përpos ndihmave psiko-sociale grave i janë dërguar pajisje të cilat i janë nevojitur për punë si aparatura për krijimin e ajvarit, bletë, materiale etj. Ndërsa përpos artizanateve si xherxhefë, bizhuteri, punime në pëlhurë ato punojnë edhe në  pikën tharëse të bimëve e fruteve që mbledhin në vendbanime të ndryshme.

Medica Shop. Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Procesi në pikën tharëse shkon ku gratë furnizuese që janë edhe në dyqan që të bëjnë grumbullimin e bimëve dhe frutave të ndryshme në mënyrë që t’i sjellin këtu për tharje të cilat dorëzohen tek një bashkëpunëtor i yni që na e siguron tregun të cilat kanë mundësi të shiten në dyqanin e Medica Gjakovës. Në këtë proces marrin pjesë një numër i madh i grave dhe fermerësh. Ne gjatë gjithë kohës i bëjmë thirrje që t’i sjellin produktet e tyre. Kemi pas
raste kur kemi tharë ftonj, molla të egra, kaça dhe bimë të tjera si gjethe bliri, lule shtogu se ka edhe bimë mjekësore edhe frute të ndryshme dhe çka do që përkon tregu” tha Dorina Babuni, asistente e projekteve.

Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtoresha e organizatës tha se kohëve të fundit kanë ndikuar edhe në komuna të grave të ju sigurohet banimi nga se ka gra që për shkak të problemeve në familjet e tyre nuk kanë kanë
vendbanim të përhershëm.

“Kohëve të fundit ne kemi ndikuar edhe në komuna që të ju sigurojmë edhe banim, për shkak të problemeve që kanë pas në familjet e tyre për atë që ju ka ndodh janë ndarë prej familjes që nuk kanë ku të banojnë të i sigurohet një banesë nga komuna ose kemi krijuar mundësinë që t’i paguhet qiraja për një vit deri sa t’i gjendet një zgjidhje” tha Sada.

Mënyra se si gratë bashkëngjiten në këtë organizatë është përmes punës në terren apo edhe nga referimet  grave anëtare. Por, ka raste që edhe vet gratë lajmërohen përmes rrjeteve sociale, thirrjeve apo stafit.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjendjen e sektorit shëndetësor në Kosovë i publikuar në vitin 2000 thotë: “Organizatat vendore vlerësojnë se janë nga 10,000 deri në 20,000 gra të dhunuara në periudhën mes shkurtit 1998 dhe qershorit 1999”.

Vetëm në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë janë raportuar 1
mijë e 3 raste të dhunës në familje.

Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

Medica Shop. Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com