Shoqëria Civile, thirrje për menaxhim të duhur të vaksinimit për ruajtjen e shëndetit publik

Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të ketë menaxhim të duhur të procesit të faksinimit në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.

“Ne konsiderojmë që ministria ka të gjitha kapacitetet për ta menaxhuar këtë situatë dhe është e pakuptueshme se si e njëjta nuk ka arritur të krijojë një sistem dhe infrastrukturë adekuate konsideruar faktin që procesi i vaksinimit do shkojë duke u shtuar dita ditës”, thuhet në letrën e tyre.

OSHC-të kanë thënë se në mënyrë që ky proces të implementohet ashtu si duhet, MSh-ja duhet të mësojë nga vendet e rajonit dhe të decentralizojë procesin e vaksinimit duke krijuar qendra të reja në Prishtinë, dhe jo vetëm.

“Një gjë e tillë është absolutisht e bëshme dhe do të evitonte radhët e gjata, përkatësisht do të ruante shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës”, theksohet në letër.

Sipas OSHC-ve, një qasje e tillë, pa një planifikim paraprak detyrimisht do të rezultojë me rrezik të shtuar për infektime të reja.

Ato i kanë rikujtuar MSh-së por edhe Qeverisë së Kosovës që procesi i vaksinimit duhet të jetë prioriteti kryesor dhe i pakontestueshëm.

OSHC-të i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që:

  • Të ketë seriozitet të shtuar në organizim në tërë rajonet e Kosovës ashtuqë, të evitohen me çdo kusht radhët e gjata të pritjes të cilat medoemos do të rezultojnë me infeksione të shtuara;
  • Të shtohen qendrat e vaksinimit në rajonet më të mëdha, ashtu që të decentralizohet i tërë procesi i vaksinimit;
  • Të mundësohet qasje e drejtë dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes metodave të kombinuara. Pra të u ofrohen mënyra të ndryshme të aplikimit (online, fizike, etj) në mënyrë që të kenë çasje të gjithë, përfshirë këtu të moshuarit që nuk kanë njohuri në përdorim të mjeteve të komunikimit online;

Po ashtu, OSHC-të kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë duhet që paralelisht me vaksinimin e popullatës të angazhohet edhe në implementimin e një fushate informimi dhe vetëdijesimi rreth procedurave të vaksinimit dhe efektin e këtij procesi në parandalimin e përhapjes së mëtutjeshëm të virusit.

“Qytetarët e Kosovës, sidomos ata në moshë të shtyrë, duhet ta kenë të qartë të gjithë procesin në mënyrë që të jenë të informuar drejtë se si dhe ku duhet të vaksinohen”, përfundon letra e OSHC-ve drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Organizatat të cilat e kanë bërë këtë thirrje janë: Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Organizata ÇOHU!, Instituti KIPRED, EC Ma Ndryshe, Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI , Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Demokraci për Zhvillim – D4D, Demokracia Plus – D+, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Instituti GAP dhe Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF.

Kontingjenti prej 38 mijë e 400 vaksinave “AstraZeneca” kanë arritur të mërkurën në Kosovë ndërsa sot janë shpërndarë vaksinat nëpër komunat e Kosovës dhe në disa prej tyre edhe ka filluar vaksinimi.

Në Prishtinë, në hyrje të sallës “1 Tetori” gjatë ditës së mërkurë por edhe sot janë krijuar grumbuj të personave të moshuar në pritje të vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë është arsyetuar se shumica prej tyre kanë ardhur prej komunave të tjera.

Më herët janë vendosur rrethojat, të cilat do të ndihmojnë në menaxhimin e atyre që vijnë për vaksinim.