Shkëlzen Maliqi merr mandatin e dytë si drejtor i Sekretariatit të KGjK-së

Shkëlzen Maliqi ka marrë zyrtarisht mandatin e dytë në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK).

Anëtarët e KGJK-së unanimisht votuan pro vazhdimit të mandatit edhe për 5 vite të tjera të Maliqit në këtë pozitë.

Në vizionin e tij Shkëlzen Maliqi prezantoi arritjet e Sekretariatit përgjatë menaxhimit të tij në mandatin e parë, mirëpo paraqiti edhe sfidat që ka hasur dhe çështjet që kanë nevojë të përmirësohen në vazhdim.

Maliqi prezantoi që kursimin e buxhetit do ta ketë prioritet, ndërtimin e objekteve të reja të Gjykatave si për Gjykatën Supreme ashtu edhe për degët e tjera nëpër komuna të tjera.

Maliqi potencoi se një ndër arritjet e Sekretariatit është menaxhimi i uebfaqes së KGjK-së të cilën e cilësoi si më të mirën ndër institucione të vendit.

“Ueb-faqja në 2019 është ndërtuar e re, përditësohet çdo ditë, shumë herë edhe prej të tjerëve vlerësohet si më e mira në institucionet e Republikës së Kosovës, që ndihmon në rritje te besimit dhe transparencës”- tha ai.

Ndër sfidat që ballafaqohet KGjK-së, sipas Maliqit është mungesa e buxhetit dhe kjo rrjedh edhe në mungesë të stafit qoftë ai administrativ apo teknik e mbështetës.

Sipas Maliqit, mungesa e buxhetit gjithashtu reflektohet edhe në mirëmbajtjen e Pallatit të Drejtësisë, duke përmendur këtu edhe anën teknike të pallatit e ashtu siç ka raportuar KALLXO.com ka edhe raste që punëtorët alivanosen.

Drejtori i Sekretariatit të KGJK, Shkëlzen Maliqi potencoi se janë diku 82 pozita të hapura vetëm për bashkëpunëtorë ligjorë, mirëpo ka mungesë të buxhetit dhe nuk mund të plotësohen ato pozita.

“Janë 82 pozita për bashkëpunëtor të hapura mirëpo kemi mungesë të buxhetit për plotësimin e atyre pozitave” – tha Maliqi.

I pyetur rreth nga anëtarët e KGJK-së rreth stafit që i përkasin komuniteteve jo-shumicë, i njëjti deklaroi se gjithmonë kanë marrë trajtim të barabartë.

“Stafi i komuniteteve jo-shumicë, gjithmonë kush ka aplikuar janë trajtuar në mënyrë të barabartë e ndoshta edhe me përparësi në bazë të rregullit për plotësim të kuotës”- theksoi ai.