Autoambulanca para objektit të Prokurorisë së Prishtinës (10.08.2022), Foto: KALLXO.com

Alivanoset punëtorja e Prokurorisë së Prishtinës

Para objektit të Prokurorisë së Prishtinës është parë sot një autoambulancë, e cila ka shkuar për t’i ofruar ndihmë mjekësore punëtores së kësaj prokurorie, e i cila është alivanosur.

Deri tek alivanosja e saj dyshohet se erdhi për shkak të problemeve me ajrosjen në objektin e Prokurorisë së Prishtinës. Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Sipas saj punonjësa ka marrë trajtim të nevojshëm mjekësor.

“Si pasojë e problemeve me funksionin e ajrosjes në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me të cilën situatë tash e disa vite jemi duke u përballur e që është shqetësuese dhe ndikon në efikasitetin në punë, sot i është përkeqësuar shëndeti njërës nga punonjëset e kësaj prokurorie, ku është dashur të intervenojë Ambulanca e qytetit dhe si pasojë e kësaj situate të krijuar e njëjta ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor” – tha Ulaj për KALLXO.com.

Pallati i Drejtësisë është projekt nga BE-ja për Kosovën, e cila kalon vlerën e përgjithshme mbi 30 milionë eurove. BE-ja ka mbështetur financiarisht ndërtimin e katër prej pesë ndërtesave të kompleksit, ndërsa Qeveria e atëhershme e Kosovës ka mbështetur financiarisht ndërtimin e ndërtesës së pestë, si dhe është angazhuar për kryerjen e punëve që ndërlidhen me infrastrukturën.