
Trepça, Foto: Valon Fana/KALLXO.com
Qeveria shkarkon Bordin Mbikëqyrës të 'Trepçës'
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kabineti qeveritar ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça” dhe emërimin e Bordit të përkohshëm.
Bordi i përkohshëm ka këtë përbërje: Rrezarta Pllana, kryesuese, Alban Krasniqi anëtar, Merita Beqiri- Gashi anëtar dhe Dragisha Kërstoviq anëtar, të cilët kanë mandat jo më gjatë se 6 muaj.
Ndërkaq sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, anëtari i pestë i Bordit mbikëqyrës të përkohshëm, do të emërohet pasi të propozohet nga aksionarët në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” është emëruar me vendim të Qeverisë më 2 shkurt 2022. Më 20 shtator 2023 kanë dhënë dorëheqje dy nga anëtarët e Bordit mbikëqyrës ndërsa kanë mbetur vetëm tre anëtarë, pra Bordi aktualisht është jo funksional”- ka thënë Rizvanolli në mbledhjen e Qeverisë.
Sipas Rizvanollit, njësia për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike, ka gjetur se Bordi mbikëqyrës, përkatësisht komisioni i auditimit i ndërmarrjes kanë kryer disa veprime ose mosveprime.
“Në kuadër të funksionit të vetë monitorues, njësia për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike, ka gjetur se Bordi mbikëqyrës, përkatësisht komisioni i auditimit i ndërmarrjes kanë kryer këto veprime ose mosveprime: nuk kanë miratuar strategji zhvillimore të ndërmarrjes, nuk kanë miratuar rregullore për kompensimin e punëtoreve në përputhje me realizimin e planit të prodhimit dhe të të hyrave, ka vendosur të shpallë konkurs për xehtarë pa kërkesë paraprake të menaxhmentit”- shpjegoi ministrja.
“Bordi nuk ka siguruar auditimin e keq menaxhimit të ndërmarrjes ndër vite, që ka çuar në borxhe të grumbulluara prej dhjetëra miliona eurosh. Një auditim i mirëfilltë do të identifikonte mundësitë për të përmirësuar gjendjen e ndërmarrjes, ose për të hetuar përgjegjësinë e personave vendimmarrës. Në këtë rast njësia për monitorim të ndërmarrjeve publike ka konstatuar se Bordi mbikëqyrës ka shkelur detyrat fiduciare dhe i ka rekomanduar qeverisë të shkarkojë anëtarët e Bordit mbikëqyrës”- shtoi ajo.
Rizvanolli më pas ka thënë se qeveria propozon shkarkimin dhe të emërohet Bord mbikëqyrës i përkohshëm deri në përmbushjen e rekrutimin e Bordit të ri.
“Qeveria propozon shkarkimin dhe të emërohet Bord mbikëqyrës i përkohshëm deri në përmbushjen e rekrutimin e Bordit të ri. Propozimet për Bordin e përkohshëm janë: Rrezarta Pllana-Kryesuese, Alban Kransiqi anëtar, Merita Beqiri Gashi anëtar dhe Dragisha Kërstoviq anëtar. Me mandatin jo më gjatë se 6 muaj, ndërsa anëtari i pestë i Bordit mbikëqyrës të përkohshëm, do të emërohet pasi të propozohet nga aksionarët në përputhje me legjislacionin në fuqi”- tha ajo.