Serbia i reagon Kurtit pas deklarimeve se ushtria serbe po shkakton provokime në afërsi të kufirit me Kosovën

Kryetari i Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike (Marrëveshja e Kumanovës), Zoran Jovanoviq, ka reaguar pas publikimit të videos nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku shihen pjesëtarë të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kurti ka njoftuar se më 21.03.2024, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë parë afër fshatit Banje të Zubin Potokut dhe ka tërhequr vëmendjen se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, po ashtu në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se ’Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar’” – shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

Por, Jovanoviq i ka quajtur “vazhdimësi e fushatës dezinformuese drejtuar kundër Forcave të Armatosura të Serbisë”, deklaratat e kryeministrit Kurti.

Ai ka thënë se ushtria serbe po kryente detyra të rregullta për sigurimin e kufirit dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, që sipas tij, janë në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara.

“Përhapja e mashtrimeve dhe dezinformatave, të cilat janë ekspozuar shumë herë deri më tani si gënjeshtra më e zakonshme, janë pjesë e një fushate më të gjerë të institucioneve të Prishtinës, e cila ka për qëllim ngritjen e tensioneve, mashtrimin e opinionit, krijimin e kushteve të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë dhe shmangien e detyrimit të pranuar ndërkombëtarisht”- është cituar të ketë thënë Jovanoviq, përmes një komunikate për media të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes në Serbi.

Më tej ai është shprehur se për sigurimin e “vijës administrative” [siç i është referuar kufirit], nuk ka vend për Policinë dhe Forcat të Sigurisë së Kosovës, pasi që Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshja Teknike Ushtarake nuk njohin subjekte tjera përveç pranisë ndërkombëtare civile dhe forcave të sigurisë së Serbisë.

Edhe kryeministri Kurti ka thënë se janë të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta, por ka shprehur bindjen se ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kurti ka njoftuar se janë duke i vëzhguar me kujdes trupat serbe se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa theksoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

Më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit u krye një sulm terrorist nga pjesëtarët e një grupi të uniformuar serbësh, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, një polic tjetër u plagos  dhe një tjetër u lëndua.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ndaj të cilit më 06.12.2023, INTERPOL lëshoi fletëarrest për Radoiçiqin.

Kurti publikon pamje të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën