Foto: REL

Serbët lokalë bllokojnë me kamionë me zallë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Banorët serbë të veriut të Kosovës kanë bllokuar sërish sot rrugët që çojnë për në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Burime të KALLXO.com thonë se serbët lokalë po përdorin në këtë aksion veprimet e njëjta me ato të shtatorit të vitit të kaluar, kur rrugët ishin bllokuar me kamionë, shumica e të cilëve të ngarkuar me rërë.

Situatë e njëjtë është edhe sot, kur banorët lokalë kanë mbyllur rrugët me kamionë të mbushur me rërë, si dhe me vetura dhe automjete të tjera.

Për shkak të zhvillimeve të sotme, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Veprimet e serbëve të veriut të vendit vijnë një ditë para fillimit të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë: ndalimin e targave ilegale dhe reciprocitetin për dokumentet e identifikimit të Serbisë.

Vitin e kaluar serbët gjithashtu kanë bllokuar rrugët.

Më 20 shtator 2021 me hyrjen në fuqi të vendimit për reciprocitetin për targat qytetarët serbë bllokuan rrugët që të dërgojnë në Jarinjë e Bërnjak në shenjë pakënaqësie për heqjen e tabelave të Serbisë dhe vendosjen e targave të përkohshme të Kosovës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak për 13 ditë.

Ndërsa, pas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është bërë largimi i barrikadave në ato pika si dhe tërheqja e njësive speciale.

Pastaj ekipet e KFOR-it për dy javë kanë qëndruar në të njejtat pika për të siguruar ambient të qetë në atë zonë.

Serbët nisin të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës