Ilustrim

Detaje të reja për vrasjen e mërgimtarit nga Zvicra nga vëllai i tij i dyshuar

Policia e Gjakovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se personi tashmë i vrarë, ishte raportuar si i zhdukur në Polici me datën 27 shkurt 2020.

Për zhdukjen e B. K., 64 vjeçar, kishte raportuar gruaja e tij, që nga data 11 shkurt 2020.

B. K. kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se sot me datën 9 prill 2020, është arrestuar si i dyshuar vëllai i viktimës.

I dyshuari në këtë rast është G. K., 59 vjeçar.

Gjatë intervistimit, i dyshuari G. K., e kishte pranuar veprën penale dhe i njëjti po dyshohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Fillimisht trupi i pajetë dyshohet se është djegur nga i dyshuari, ndërsa policia ka gjetur vetëm disa mbetje në vendin e ngjarjes.

Poashtu në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave të cilat dyshohet se i dyshuari i ka përvetësuar nga viktima pas kryerjes së veprës si dhe janë konfiskuar edhe dy armë të mbajtura pa leje dhe municion të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Personi i arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit po mbahet në ndalim policor.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar për rastin.

Rahovecasi arrestohet, dyshohet se e vrau dhe dogji vëllanë e tij