Serbët e Kosovës të zhgënjyer me aneksin e Planit të BE-së

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth takimit të së shtunës në Ohër rreth aneksit për zbatimin e Planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zhvilluar nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa ‘Mbijetesa Serbe’, ka thënë se me këtë aneks serbët nuk përfitojnë asgjë.

“Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha sesa është paraparë me këtë aneksin, sepse thënë thjesht, me këtë aneks nuk përfitojmë asgjë. Ky aneks është thjesht një letër e cila i është shfaqur publikut me plot mangësi të veta, dhe vazhdon të dëshmojë jotransparencën e Brukselit dhe dokumenteve të tyre lidhur me bisedimet, për të cilat ne, thjesht, nuk dimë gjë fare. Çka është me rëndësi, lidhur me nënshkrimin nga presidenti Vuçiq, mendoj se arsyetimi i tij është vetëm për publikun e brendshëm. Mendoj se meqë ai e ka pranuar këtë marrëveshje nuk është e domosdoshme që marrëveshja të jetë e nënshkruar” – ka thënë Arsenijeviq.

Ndryshe, të shtunën vonë përfundoi një ditë maratonë takimesh në Ohër rreth dakordimit për aneksin e Planit të BE-së që ka të bëjë me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

Liderët e dy vendeve u morën vesh për disa pika por nuk nënshkruan asgjë në letër.

Aneksi i Marrëveshjes u publikua nga BE  por ende nuk dihet kur do nisë zbatimi, si do shkojë procedura dhe kur do të dalë ky dokument për miratim në kuvendet përkatëse.

BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes