Selmanaj: Asnjëherë s'jam ftuar nga Policia për fotografinë me personin që dyshohet se planifikoi atentat ndaj Albin Kurtit

Driton Selmanaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka folur për fotografinë në të cilën shihet me personin i cili është përfolur se ka planifikuar atentat për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Selmanaj ka thënë se deri më tani asnjëherë nuk është kontaktuar nga Policia sa i përket fotografisë.

“Absolutisht jo, sepse kurrë s’kemi pasë as dilema, as dyshime, as më të voglën dilemë nuk e kam pasë që dikush nga ata njerëz aty në tavolinë ku kam qenë mysafir për të cilën unë kam shku për t’i nderu. Asnjëherë, as mikun tim, kurrë nuk është hapur kjo temë” – ka thënë Selmanaj.

Ai ka treguar se si është zhvilluar takimi me të dyshuarin për atentat.

“Ka qenë fundi i vitit 2020, unë isha rrugës në relacionin Prishtinë – Prizren dhe më merr në telefon Beg Salihi (mik i familjes sonë / vllau i gruas së djalit të axhës tim), ku më thotë që nëse ke pak kohë eja ta pijmë nga një kafe se i kam ca miq nga Shkodra. Unë për respekt për mysafirët nga Shqipëria ndalem në një restoran në fshatin Korishë të Prizrenit” – ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Driton Selmanaj flet për fotografinë me personin që dyshohet se planifikoi atentat ndaj kryeministrit Kurti