Seanca solemne e Kuvendit për "Epopenë e UÇK-së" fillon me intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar

Për të shënuar 26 – vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Kosovës po mbanë seancë solemne.

Kjo seancë solemne ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar të interpretuar nga pjesëtarë të Filarmonisë së Kosovës.

Ndërsa në nderim për të rënët e familjes Jashari por edhe për të gjithë të rënët e luftës së fundit në Kosovë, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje.

Pjesëmarrës në këtë seancë solemne është edhe Rifat Jashari.

Po ashtu në këtë seancë po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe në përgjithësi Drenica shpeshherë ishin rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.