Kryesia e Kuvendit - 18.12.2019

Seanca konstituive e Kuvendit, pasditen e 26 dhjetorit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, në detyrë Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë ka bërë të ditur se me datë 26 dhjetor në ora 15:00 do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë.

“Besoj shumë shpejt që me datën 26 do të kemi një legjislaturë të re, përkatësisht një epokë të re të politikës në Kosovë, me pozitë dhe opozitë. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë opozitë. Shpresoj që shumë shpejt do të kemi konstituimin edhe të organeve të tjera të cilat kanë shumë rëndësi veçanërisht për buxhetin”, tha ai.

Ai shtoi se është i lumtur me udhëheqjen e Kuvendit në mandatin e tij.

“Në mandatin tim asnjë deputetë nuk ka qenë i dëmtuar në asnjë aspekt. Ndoshta ndonjëherë kam qenë i dëmtuar vetë. Kam pas dëshirë që asnjë të mos jetë i dëmtuar në asnjë aspekt. Nuk ka qenë situatë e lehtë”, tha Veseli.

I pyetur nëse do të qëndrojë si deputet në legjislaturën e ardhshme, kreu i PDK-së tha se është deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Jam i zgjedhur dhe falënderues për këtë”, shtoi ai.

PDK-ja nga zgjedhjet e 6 tetorit, ka mbetur në opozitë, duke u renditur e treta, pas VV- se dhe LDK-së.