Policia e Shtetit, Foto: Facebook

Sarandë, zbulohet serra nëntokësore ku kultivohej kanabisi - VIDEO

Policia e Shtetit njofton se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Volloder”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Sipas njoftimit, Policia e Shteitit në kuadër të operacionit ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë kryer vepërn penale “Shpërdorim i detyrës”.

“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit V. S., 57 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së dhe G. H., 61 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Policia e Shtetit bën të ditur se dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

“Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, shtetasit: K. O. pronari i magazinës dhe K. M., i cili kishte marrë më qira ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike”, njofton Policia.

Tutje në njoftim thuhet se janë sekuestruar 50 llamba elektrike, 100 bimë kanabis të kultivuara në kubikë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Sipas Policisë, operacioni ishte zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë.

“Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një magazinë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike”, raporton Policia e Shtetit.

Po ashtu në njoftim thuhet se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.