Pamje nga arrestimi i 34 vjeçarit me inicialet K.H., Foto: Policia e Shtetit

Sarandë, theu masën e arrestit dhe kërcënoi se do ta vriste ish-gruan e tij

Një 34 vjeçar me inicialet K.H., është arrestuar gjatë ditës së sotme nga forcat e rendit në Shqipëri.

Dyshimet fillestare ishin se i dyshuari i cili ishte nën masën e arrestit shtëpiak kishte kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri ish-gruan e tij dhe bashkëjetuesin e saj.

Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e cila pretendohet se mund të përshkallëzonte dhe e cila u parandalua për shkak të reagimit të shpejtë të forcave të rendit.

Fillimisht policia kishte marrë një informacion se në njërën lagje të Sarandës, 34-vjeçari kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen 31-vjeçare me inicialet F.C., dhe bashkëjetuesin e saj shtetasin I.J.,

34-vjeçari K.H. dyshohet se i kishte kërcënuar se do t’i vriste me armë zjarri të dy.

Pas këtyre informacioneve të menjëhershme ishin reagimet e Policisë të cilët kishin shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

34-vjeçari ishte arrestuar për thyerjen e masës së sigurisë së arrestit shtëpiak dhe veprën penale vjedhje me dhunë.

Gjatë kontrollit të të dyshuarit, Policia kishte gjetur edhe një pistoletë me fishekë e cila ishte gati për qitje.

Në të njëjtin operacion, Policia e Shtetit ka thënë se kanë arrestuar në flagrancë edhe 55-vjeçarin me inicialet I.J., të cilit i ishte konfiskuar një boks hekuri..

Materialet sipas Policisë i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K.H., si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I.J.