Flamuri i Rusisë, Foto: Pixabay

Rusia nis t'i zhvendosë disa armë bërthamore në Bjellorusi

Rusia ka vazhduar me planin e saj për të vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi. Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka pohuar të enjten se zhvendosja e disa prej armëve nga Rusia në Bjellorusi ka filluar tashmë, sipas raportimeve.

“Duhej t’i përgatisnim hapësirat e magazinimit dhe pjesën tjetër atje [në Bjellorusi]. I kemi bërë të gjitha këto. Kjo është arsyeja pse ka filluar zhvendosja e municioneve bërthamore”- ka deklaruar Lukashenko gjatë një samiti të Forumit Ekonomik Euroaziatik në Moskë.

Ndërkohë zhvillimet tjera rreth luftës në Ukrainë janë si në vijim:

Prokurorët holandezë e kanë sekuestruar një ngastër toke pranë Amsterdamit që i përket ish-dhëndrit të Vladimir Putinit, zbuloi një hetim i përbashkët nga Guardian dhe dy organizata të tjera mediatike. Parcela e tokës në Duivendrecht është në pronësi të Jorrit Faassen, një biznesmen holandez i cili ishte i martuar me Maria Vorontsova, vajzën e madhe të presidentit rus.

Britania ka të ngjarë t’i mbajë të palëvizura asetet shtetërore ruse për disa kohë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, dhe sigurisht, derisa Moska zyrtare të pranojë të paguajë kompensimin për dëmin që ka shkaktuar, kanë konfirmuar zyrtarët britanikë. Samiti i Këshillit të Evropës javën e kaluar krijoi një regjistër dixhital të dëmeve për Ukrainën, si hapi i parë drejt një mekanizmi ndërkombëtar kompensimi për viktimat e agresionit rus.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar prej kohësh Ukrainës që të mos përdorë pajisje ushtarake të ofruara nga SHBA për të kryer sulme brenda territorit rus, tha të enjten gjenerali i lartë amerikan, pas akuzave nga Rusia se milicia pro-ukrainase kishte përdorur automjete të blinduara amerikane.

Grupi mercenar rus Wagner ka filluar t’i tërheqë forcat e tij nga qyteti i shkatërruar ukrainas i Bakhmut dhe transferimi i pozicioneve të tij atje tek trupat e rregullta ruse, sipas themeluesit të tij, Yevgeny Prigozhin.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Grupi Wagner mund të jetë duke punuar përmes shtetit afrikan të Malit dhe vendeve të tjera për t’i fshehur përpjekjet e tij për të blerë pajisje ushtarake për përdorim në Ukrainë dhe e ka akuzuar këtë grup për furnizimin e një paraushtaraku sudanez me raketa tokë-ajër.

Ukraina ka siguruar lirimin e 106 ushtarëve të kapur në një shkëmbim të burgosurish me Rusinë të enjten, sipas shefit të shtabit të Volodymyr Zelenskiy. Ushtarët, përfshirë tetë oficerë, thuhet se ishin kapur duke luftuar në qytetin Bakhmut.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se i ka ftuar ambasadorët e Gjermanisë, Suedisë dhe Danimarkës për atë që e përshkroi si “mungesë të plotë të rezultateve” në hetimin e Rrjedhës së Veriut (Nord Stream).

Disa shpërthime të pashpjegueshme nënujore çanë tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit Baltik në shtator të vitit 2022. Shpërthimet ndodhën në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës dhe të dy vendet thonë se ishin të qëllimshme, por ende nuk është përcaktuar se kush ishte përgjegjës. Gjermania po bën hetime njëkohësisht.

Zyrtarë ukrainas kanë thënë të enjten se ushtria ukrainase ka rrëzuar të 36 dronët e prodhuar nga Irani të lëshuar nga Rusia në sulmet gjatë natës që ajo pretendon se ka të ngjarë ta kenë pasur në shënjestër infrastrukturën kryesore dhe objektet ushtarake./The Guardian