Foto: NATO

"Rugova dhe Perëndimi": Ish-presidenti i Kosovës përkujtohet si "lider i papërsëritshëm"

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, më 10.06.2024, Lidhja Demokratike e Kosovës ka organizuar konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, në të cilën kanë marrë pjesë personalitete politike vendëse e të huaja, përfaqësues fetar si dhe gazetarë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Rugova e shihte Europën si bashkësi ndërsa Kosovën pjesë të saj.

“Udhëheqësi i shkrimtarëve të Kosovës e njohësi i kulturës autoktone dhe qytetërimit perëndimor fashiti dallimet e popullit të Kosovës. Rugova ishte perëndimor në vet kuptimin e fjalës”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shprehu falënderim dhe mirënjohje ndaj faktorit ndërkombëtar për ndërhyrjen për çlirimin e Kosovës.

“Liria erdhi siç e kishim besuar të gjithë. Manifestimi i lirisë nga të tjerët është vet qëllimi i sakrificës për liri edhe i atyre që sot nuk janë mes nesh”, tha Abdixhiku.

Për Rugovën foli edhe Massimo D’Alema, ish kryeministër i Italisë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ai e kujtoi Rugovën si luftëtar dhe intelektual të madh.

“Duke e kujtuar Rugovën po rikujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e popullatës së Kosovës për të fituar lirinë. Më kujtohet takimi me Rugovën, ishte moment i vështirë, bombardimet e NATO-s kishin filluar shumë ditë më parë, por nuk kishte shenjë që Serbia do të dorëzohet dhe të lejoj paqen në Kosovë”, kujtoi D’Alema.

“Rugova ka qenë luftëtar i pakompromis dhe njeri i dialogut e bashkëekzistencës kulturore dhe fetare. Profet i jodhunës. Ka qenë personi që quhet Gandi i Ballkanit”, shtoi D’Alema.

Në konferencë, një fjalim për Rugovën e mbajti edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai deklaroi se Rugova ishte dhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptar dhe si i tillë “është i papërsëritshëm e i paimitueshëm”.

“Kur më 24 maj 1992 në të ashtuquajturat zgjedhje ai u vetshpall president i Kosovës, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta lë pas, emrin dhe integritetin. Rugovën disa e tallën, e injoruan e nënvlerësuan, por nuk besoj që ndonjë në ato fillime e besoi atë si rrugë me dalje të sigurt, por ishte hap në errësirë nga pamundësia për të qëndruar në vend”, tha Rama.

Ai tha se Rugova ka punuar që Kosova të ketë aleatë ndërkombëtarë.

“Sot është më e qartë se pa Rugovën nuk do të kishte UÇK, sepse pa luftën që filloi në paqe nuk do të ishte kurrë paqja e filluar me luftë”, u shpreh Rama.

Në konferencë folën edhe figura të tjera si ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetë.

Diplomati amerikan tha se Rugova ishte inspirim për të.

“Edhe në ditën time të fundit si Ambasador në Kosovë do të vendos lule tek shtatorja e presidentit Rugova, si shenjë respekti për të, për mënyrën se si ai i ka bërë gjërat”, tha Hovenier.

Në këtë konferencë, në një panel të veçantë kanë folur edhe gazetarë dhe bashkëpunëtorë të Rugovës.

Konferenca është organizuar në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, sikurse dhe në nderim të aleatëve që patën rol thelbësor në orët më të rënda të Kosovës.