Rrjeti i Grave: Të ndalen sulmet dhe shpifjet ndaj Vjosa Osmani

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka bërë thirrje që të mos cenohet integriteti dhe kontributi i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, pas sulmeve që i janë bërë asaj dhe familjes.

RrGK vlerëson se kundërshtimet politike si dhe mospajtimet institucionale duhet të shprehen pa linqime të tilla ndaj familjarëve të palëve të përfshira.

“Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj, puna dhe performanca e saj duhet vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale, dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen. RrGK vlerëson se kundërshtimet politike si dhe mospajtimet institucionale duhet të shprehen pa linqime të tilla ndaj familjarëve të palëve të përfshira”, thuhet në reagimin e KrGK-së.

“Shpifja dhe fyerja, sipas Ligjit nr. 02/L-65 të Republikës së Kosovës cilësohen si vepra penale dhe janë të dënueshme më ligj, andaj me qëllim të ndërtimit të një shoqërie demokratike që promovon lirinë e shprehjes, mirëpo parandalon gjuhën e shpifjes dhe atë të fyerjes, RrGK kërkon që shpifjet ndaj Osmanit të trajtohen përkitazi me ligjin në fuqi. Çdo përpjekje për të zvogëluar kontributin e grave në politikë dhe në sferën publike është vetëm hap prapa në arritjen e synimit tonë të përbashkët për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë”, vijon komunikata e Rrjetit të Grave.

Ky reagim vije pasi që ditë më parë është në disa portale është publikuar një fotografi, ku është thënë se babai i saj[Vjosa Osmanit] ka punuar me serbët.

Në anën tjetër, kujtojmë se pas këtij publikimi Osmani e kishte quajtur shpifje dhe kishte paralajmëruar masa ligjore ndaj portaleve që publikuan fotografinë.

Kurse, mbrëmë në një intervistë në Klan Kosova, presidenti Thaçi la të kuptohet se babai i Vjosa Osmanit ka punuar për Serbinë dhe kërcënoi se këtë do ta bëjë “transparente” nëse këtë e kërkon ajo.

Lidhur me këtë deklaratë, Vjosa Osmani tha se gjarpri ka provuar të kafshojë nderin e familjes së saj.