Vjosa Osmani i reagon Hashim Thaçit për akuzat ndaj familjes së saj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi për familjen e saj.

Në një intervistë në Klan Kosova, presidenti Thaçi la të kuptohet se babai i Vjosa Osmanit ka punuar për Serbinë dhe kërcënoi se këtë do ta bëjë “transparente” nëse këtë e kërkon ajo.

Lidhur me këtë deklaratë, Vjosa Osmani tha se gjarpri ka provuar të kafshojë nderin e familjes së saj.

Për babanë e saj, ajo ka thënë se ai e ka njohur për komandant suprem Ibrahim Rugovën, “të cilin Thaçi e kishte shpallur tradhtar gjatë viteve 90-ta e tutje”.

Osmani i është kthyer edhe partisë së saj, të cilën e ka kritikuar për votimin e Hashim Thaçit për president.

Vjosa Osmani ka shkruar se njolla më e zezë e LDK-së është zgjedhja e tij për president.

Ky është reagimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime.

Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura.

Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë.