Ilustrim

Rritja e rasteve me COVID-19, edhe një shkollë kalon në mësim online

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Sadri Misini”, paralelja e ndarë në Shipashnicë të Poshtme në Kamenicë, do të kalojë në zhvillimin e mësimit në formën online, për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe personelit arsimor të infektuar me COVID-19.

Kështu ka njoftuar Komuna e Kamenicës përmes një postimi në ‘Facebook’.

Sipas Komunës, këto masa janë marrë duke u bazuar në rekomadimin e IKSHPK-së, si dhe në harmoni me Udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë, i hartuar nga MASHT-i, duke aplikuar skenarin C për mësimin online.

Ministria e Arsimit të premten njoftoi se në Kosovë janë 6 mijë e 687 nxënës aktiv me COVID-19.

Ndërsa, mësim nga distanca për shkak të rasteve me COVID-19 janë duke zhvilluar 90 shkolla në nivel vendi.

Sipas rregullave, nëse 5 % e numrit të përgjithshëm të nxënësve të një shkollë rezultojnë të prekur me COVID-19, shkolla kalon në sistem online.

Ministria e Arsimit ua ka lënë Drejtorive të Arsimit në komuna apo Task Forcat në nivel komune, që të vlerësojnë dhe të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor, bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.

Kosova po përballet me rritje të rasteve të COVID-19. Sipas të dhënave zyrtare, në total numri i rasteve aktive është 33,952.