Gjilan, të gjitha shkollat e hapura

Asnjë shkollë e Gjilanit nuk është duke mbajtur mësim nga distanca, apo me skenarin C.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori i Arsimit në këtë komunë, Nazim Gagica.

“Asnjë në shkollë me skenar të C nuk është në Gjilan. Të gjitha shkollat janë duke punuar me skenarin A me orar të plotë dhe gjendja është stabile”, bëri të ditur ai.

KALLXO.com më herët raportoi se në Ferizaj dy shkolla janë duke punuar me skenarin C si dhe disa shkolla të Prishtinës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për numrin e mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar gjatë gjysmëvjetorit të dytë, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë siç kishte filluar gjysmëvjetori i parë. Pra, me tre skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.