Foto: REL/Reuters

Fëmijët në shtëpi për mësim online, prindërit në punë

Leona* nëntë vjeçare nxënëse e klasës së katërt është duke ndjekur mësimet e nga shtëpia, për shkak se disa nga nxënësit dhe mësimdhënësit në shkollën ku mëson ajo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Pasi që prindërit e saj janë në punë, nëntë vjeçarja nga Ferizaj duhet të ndjekë mësimet nga distanca, vetëm përmes teknologjisë.

Albulena* nëna e Leonës, e cila është infermiere me profesion tregon se vajza e saj është vetëm në shtëpi nga ora shtatë në mëngjes deri në 15:00, pra  deri sa të dy prindërit të kthehen nga puna.

“Kjo ndikon edhe në cilësinë e mësimit tek fëmijët, por edhe unë kohën sa jam në punë mendjen e kam tek vajza se a po ndjek mësimin, duhet me e telefonu vazhdimisht, ndërsa nëse kishim vepru si më herët që njëri prind me qëndru në shtëpi kjo kish me qenë më mirë”, thotë nëna e saj.

Numri i rasteve të infektimeve është rritur këto ditë dhe si pasojë e kësaj disa shkolla në Kosovë kanë kaluar në skenarin C, i cili parasheh mësimin nga distanca.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku ka bërë të ditur se 1 mijë e 49 mësimdhënës dhe 6 mijë e 687 nëxënës kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

“Me skenarin e rikthimit janë gjithsej 672 shkolla, me skenarin A i kemi shtatë shkolla, në skenarin B i kemi pesë shkolla, ndërsa në skenarin C janë gjithsej 90 shkolla”, ka thënë Maloku-Bërdyna të premten e javës së kaluar.

masat për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës më 21 janar nuk përmendet ndonjë masë në të cilën njëri nga prindërit lirohet nga puna ose mund të punojë nga shtëpia përderisa fëmijët zhvillojnë mësimin në shtëpi.

Këto masa do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt 2022.

Sipas Ymret Reshiti nga Këshilli i Prindërve të Kosovës “Ky mund të jetë një mosvlerësim i saktë i nevojave që kërkohet për këto raste apo lëshim teknik që është bërë kësaj radhe”.

“Ne kemi vlerësu si Këshill i Prindërve të domosdoshme prezencën e një prindi në shtëpi në rastet kur fëmija është në mësim online edhe pse ne kemi tërheq vërejtjen se për shkak të materialit dhe nivelit që kërkohet t`i ndihmohet fëmijëve prindërit shpesh herë gjenden në situata të tilla që nuk mund ta japin kontributin”, ka thënë Reshiti.

Sipas rregullave, nëse 5% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të një shkollë rezultojnë të prekur me COVID-19, shkolla kalon në mësim online.

Ministria e Arsimit ua ka lënë Drejtorive të Arsimit në komuna apo Task Forcat në nivel komune, që të vlerësojnë dhe të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor, bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla.

Viti shkollor 2021/22 ka filluar me katër skenarë. Skenari i ‘Rikthimit’ që parasheh mësimi të zhvillohet me prezencën fizikisht të të gjithë nxënëseve në klasë, skenari ‘A’ që nënkupton me prezencë fizike, por me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndarë në grupe, skenari ‘B’ në formë të kombinuar fizikisht dhe online dhe skenari ‘C’ nënkupton që gjithë mësimi të zhvillohet online përmes platformave të ndryshme.

(Leona* dhe Albulena* janë emra të njohur për redaksinë)