(Ilustrim) Një avion i tipit Mig-29 - Foto: REL
Rrëzohet një avion i ushtrisë sllovake
Ministria e Mbrojtjes së Sllovakisë, tha se gjatë stërvitjeve është rrëzuar një avion Mig-29, i prodhuar nga sovjetikët.
Ministria tha se piloti arriti që të dalë nga avioni pak kohë para rrëzimit.
Avioni ushtarak u rrëzua në afërsi të qytetit Nitra, që gjendet rreth 100 kilometra në lindje të Bratislavës.
Ministria e Mbrojtjes tha se piloti është dërguar në spital, duke shtuar se gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Pas këtij incidenti, Sllovakia vendosi që të ndalojë fluturimin e Mig-29, derisa të përfundojë hetimi lidhur me shkaqet e rrëzimit të avionit më 28 shtator.
Më 2018, Sllovakia nënshkroi një marrëveshje për të blerë 14 avionë ushtarakë të tipit F-16 nga një komani me seli Shtetet e Bashkuara, pasi dëshiron që të zëvendësojë avionët e kohës sovjetike, që aktualisht ka.
Avionët e parë F-16 pritet të arrijnë në Sllovaki më 2022./REL