Ilustrim

Rrëzimi i aeroplanit në Greqi, ministri serb jep detaje

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në lidhje me rrëzimin e aeroplanit ukrainas që po fluturonte nga Serbia në Jordani dhe u rrëzua në Greqi.

Sipas mediave të huaja, Stefanoviq ka konfirmuar se aeroplani është nisur nga aeroporti i Nishit të shtunën në orën 20:40 dhe se po bartte municione të kompanisë serbe Valir për Ministrinë e Mbrojtjes së Bangladeshit.

“Ishte një Antonov 12 në pronësi të kompanisë ukrainase Meridian. Fatkeqësisht, sipas informacioneve që kemi në dispozicion, të 8 anëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën”, citohet të ketë thënë Stefanoviq.

Ai ka shtuar se të vdekurit nuk janë shtetas të Serbisë.

Në këtë drejtim, ai ka bërë të ditur se aeroplani po transportonte rreth 11.5 ton produkte të industrisë serbe të dedikuar te klienti përfundimtar në Bangladesh.

“Pra, klienti i fundit është Ministria e Mbrojtjes e Bangladeshit. Pronar i mallit është kompania private Valir nga Serbia”, ka bërë të ditur ai.

Sipas Stefanoviq, informacioni se aeroplani u nis për në Ukrainë ishte “i pasaktë dhe keqdashës”.

Kompania ukrainase, thotë ai, është vetëm pronare e aeroplanit, kurse malli i transportuar është i kompanisë serbe Valir. /Telegrafi/

Avioni ukrainas që u rrëzua në Greqi, bartte armë nga Serbia