Meksikë, pasagjeri hap derën emergjente të aeroplanit

Një burrë është arrestuar në Meksikë pasi hapi derën emergjente të një aeroplani.

Burri ndërmori veprime pasi avioni me destinacion qytetin e Guatemalës kishte ngecur për orë të tëra në asfalt pa ajër të kondicionuar apo ujë për pasagjerët.

Aeroporti Ndërkombëtar i Meksikës tha se nuk ishte shkaktuar asnjë dëm, por pasagjeri ishte dorëzuar në polici, raporton BBC.

Megjithatë, pasagjerët e tjerë kanë shkruar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se ai e kishte mbështetjen e të gjithëve.

Incidenti ndodhi të enjten e kaluar, rreth orës 11:30, tri orë pasi fluturimi i Aeromexico ishte planifikuar të ngritej nga Mexico City.

Vonesa u shkaktua nga një problem mirëmbajtjeje, thuhet në një raport pas incidentit.

Nuk dihet nëse burri mbetet në paraburgim, ose me çfarë akuzash mund të përballet.

Megjithatë, pasagjerët e zemëruar e panë incidentin në një këndvështrim tjetër.

“Të gjithë pasagjerët në fluturimin nga CDMX [Mexico City] në Guatemala [fluturimi] AM 0672 deklarojnë se pasagjeri në bord që hapi dritaren e urgjencës ishte për mbrojtjen e të gjithëve, me mbështetjen e të gjithëve, që nga vonesa dhe mungesa e ajrit që ka krijuar kushte të rrezikshme për shëndetin e pasagjerëve”- thuhet në shënimin e shkruar me dorë nga bashkëudhëtarët.

“Ai na shpëtoi jetën”- kanë thënë ata duke shkruar emrat dhe nënshkrimet e tyre në shënimin e shpërndarë në rrjetet sociale.