Rreziku nga coronavirusi, kosovarët nuk po e respektojnë kufizimin e lëvizjes dhe tubimeve

Në kohën kur Kosova për më pak së një muaj ka konfirmuar 184 të identifikuar dhe 5 viktima nga COVID-19, çdo ditë po raportohen dhjetëra raste nga Policia e Kosovës për arrestime ndaj qytetarëve që nuk po respektojnë vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes.

Vetëm të martën janë arrestuar 63 persona nga Policia e Kosovës, disa prej tyre janë hasur duke lëvizur edhe gjatë orës policore, ndërkohë që vazhdimisht po rekomandohet që të kufizojnë daljen panevojë edhe në kohën kur lejohet ajo.

Sipas vendimit të 27 marsit të Qeverisë, ora policore është nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Policia ka njoftuar se në një vend punishte në fshatin Baicë të Drenasit janë parë duke punuar 20 persona, e që patrullat e policisë kanë shkuar në atë lokacion dhe ndaj menaxherit me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë”.

Sipas nenit 53.1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, gjobat janë 1000-2000€ – për person fizik dhe 3000-8000€ – për person juridik. Ndërsa, sipas Kodit Penal, parashihet dënimi me burg deri në 2 vite gjithë ata që nuk i respektojnë vendimet e nxjerra nga institucionet përkatëse lidhur me sëmundjes gjatë kohës së epidemisë.

Në anën tjetër, edhe në fshatin Topliqan të Lipjanit janë hasur 19 persona, prej tyre tre të mitur duke luajtur basketboll. Lipjani ka shënuar edhe rastin e parë me Covid19.

Ndërkaq, Asociacioni i Komunave të Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se përkundër masave qe kanë ndërmarrë niveli lokal dhe ai qendror për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, sipas tyre, po vërehet se në raste caktuara kjo masë nuk po respektohet plotësisht.

“Asociacioni i Komunave te Kosovës, përkundër fushatës dhe angazhimit te zyrtareve Komunal për te respektuar masat e institucioneve tona shpreh shqetësimet për tubimet e aty këtushme. Përsëri vlerësojmë se e vetmja mase për te parandaluar përhapjen e mundshme te Covid19 është respektimi plotësisht te masave dhe udhëzimeve te nivelit qendror dhe lokal”, thuhet në përgjigjen elektronike të tyre.

Më qëllim që mos të lejohet grumbullimi i njerëzve në sheshet e komunave, Qeveria ka vënë në funksion masën për mbylljen e tyre, duke u vendosur kështu shirita nga Policia.

“Meqë kjo jave pritet te përcillet me mot me diell, institucionet përgjegjëse kane filluar zbatimin e vendimit për ndalimin e qarkullimit ne sheshe me qellim parandalimin e frekuentimin dhe grumbullimit te qytetareve ne këto hapësira”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një pronocim për KALLXO.com

Përveç këtyre rasteve, Bashkësia Islamë e Kosovës (BIK) ka rekomanduar që të pezullohen përkohësisht të gjitha organizimet me rastin e ngushëllimeve–të pameve, ndërsa ceremonia e varrimit të organizohet nga rrethi sa më i ngushtë familjarë dhe të shtyhen ceremonitë fetare e familjare të parapara si Synetitë, Mevludet, Qelimet, Fejesat, Dasmat, etj.

Por që në disa media është publikuar një video në të cilën një numër i madhë i qytetarëve janë mbledhur në një ceremoni varrimi në Istog e që si rrjedhojë zyrtarët policor të kësaj komune janë detyruar të ndërhyjnë.

Në ndërkohë, vazhdimisht po bëhet apel që të respektohet rekomandimet e dalura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.

Më 23 mars Qeveria vendosi orën policore midis orës 21:00 dhe 06:00, ndërsa më 27 mars u ndryshua nga 17:00 deri në 06:00. Ndërkaq, më 31 mars Gjykata Kushtetuese, e quajti “jo-kushtetues” kufizimin e lëvizjes, për shkak se “Qeveria nuk mund t’ua kufizojë me vendim të drejtat qytetarëve, të cilat me ligj ia ka garantuar Kuvendi” dhe është në fuqi deri më 13 prill.

Por, Qeveria në detyrë ka paralajmëruar masa të reja para se të hyjë në fuqi konstatimi i Kushtetueses. Ministri në detyrë Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media tha se bashkë me kryeministrin Kurti po bisedojnë me kryetarët e komunave, në mënyrë që të vendosin për secilën komunë, pasi që sipas tyre, jo në të gjitha komunat është e nevojshme të ndërmirren masat e njëjta.

Dy rastet e para me coronavirus në Kosovë janë raportuar më 13 mars. Deri më tani numri i të prekurve ka shkuar në 184 prej tyre 30 të shëruar dhe 5 viktima. Më 15 mars, Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme emergjente për shëndetin publik.