Qeveria pritet ta ndryshojë orarin e "orës policore"

Qeveria e Kosovës pritet të marrë vendim që të ndryshojë orarin e orës policore.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që orari i orës policore të ndryshohet. Vitia ka propozuar që ndalesa e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve të bëhet nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit.

Ky propozim i ministrit Vitia pritet të merret në mbledhjen elektronike të Qeverisë.

Deri më sot vendimi i Qeverisë kufizonte lëvizjet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10 deri në 16:00 si dhe nga ora 20:00 deri në ora 06:00.

Postimi i plotë i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia:

Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, posa i propozoi Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik.

Ndër to edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve. Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Të dashur qytetarë,

Bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate.

Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore.

Ju faleminderit për mirëkuptim!