Rreziku në Ferizaj të prekurit kanë kontaktuar me 30 persona

Komuna e Ferizajt është ndër komunat më të prekura në Kosovë nga pandemia COVID- 19, deri më tani kjo komunë ka 55 të infektuar.

Fshati Sazli, Mirash, Varosh, Greme, Talinovc i Muhaxherëve, Nerodime dhe Lloshkobar janë fshatrat e prekur nga COVID- 19 në komunën e Ferizajt

Menjëherë pas rasteve të infektuar me Coronavirus Instituti i Shëndetit Publik Rajonal në bashkëpunim me spitalin e Ferizajt kanë filluar të gjejnë historikun e kontakteve të këtyre personave.

Drejtori i Spitalit në këtë komunë, Jeton Zeqiri ka thënë për KALLXO.com se deri më tani nga historiku kanë dalë rreth 25 deri 30 persona të cilët kanë kontaktuar me pacientët e infektuar.

“Sot i kemi kontaktuar kontaktet e këtyre personave që kanë dalë pozitivë i kemi dërguar emrat në IKShPK por edhe Instituti i Shëndetit Publik Rajonal është marrë me këtë problematikë dhe është një numër goxha i madh i grupeve të kontaktit të cilët presin nga Instituti me i bë analizat. Për cdo person ka pasur rreth 25 deri 30 raste kontakti. Është numër i madh në vazhdimisht jemi duke bërë përpjekje, si dhe janë duke u lajmëruar në identifikimin e tyre”, ka thënë Zeqiri për KALLXO.com

Ai thotë se sot nuk kanë marrë mostra, dhe se po presin rezultatet e 21 mostrave të cilat i kanë marrë dje.

“Dje në mesditë janë marrë edhe 21 mostra ku presim rezultatet në mbrëmje, ndërsa sot nuk është marrë asnjë mostër jemi duke i pritur rezultatet e e 21 personave”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket kapaciteteve të spitalit Zeqiri thotë se kanë në dispozicion 110 shtretër, rastet e diagnostikuar me Coronavirus ai tha se i dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare ose vetizolohen.

“Për momentin kemi një kapacitet prej 110 shtretërve, ndërsa për suportim me oksigjen dhe oksigjenoterapi kemi për 60 pacientë. Ende nuk kemi të hospitalizuar as një raste me COVID- 19 mirëpo të gjitha rastet që diagnostikohen dërgohen në QKUK ose referohen në shtëpi në vetizolim duke i rekomanduar edhe zbatuar rregullat e Institutit Kombëtarë të Shendetit Publik”, tregoi ai.

Objekti i ri i Instituti të Shëndetit Publik është plani i dytë i kësaj komunë në rast se eskalon situata, thotë Zeqiri

“Ne si planë të dytë në kuadër të stafit emergjent të Ferizajt ku përfaqësohet nga zyra e kryetarit është një objekt i ri i cili ende nuk është në shfrytëzim, është Instituti Kombëvtarë i Shëndetit Publik si objekt i ri aty ka një kapacitet mbi 150 shtretërve, në momentin eskalon situata”, u shpreh Zeqiri.

85 specialist, 140 infermiere si dhe 25 vullnetarë janë duke punuar në Spitalin e Ferizajt, konfirmon Zeqiri. Ndërsa sa i përket furnizimit me masa mbrojtëse për personelin shëndetësorë drejtori thotë se nuk janë të furnizuar mirë dhe se presin një mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK.

Qytetit i Ferizajt tash e 48 orë është futur në karatinë, mirëpo ata të cilët nuk kanë respektuar rregullat e karantinimit janë ndalur nga policia.

Zëdhënësi i Policisë për Media në këtë komunë, Agim Gashi, ka konfirmuar për KALLXO.com se në 48 orët e fundit është bërë kallëzim penal për 6 persona.

“Brenda 48 orëve kanë qenë 6 raste për ata persona është bërë kallëzimi penal dhe me urdhër të prokurorit janë shkruar në procedurë të të rregullt, personat janë liruar”, tha Gashi.

Në mënyrë që qytetarët në këtë komunë të kalojnë këto kohë pandemie sa më lehtë, komuna në bashkëpunim me psikologët nga e hëna kanë filluar të mbajnë ligjërata psikologjike online.

377 persona deri më tani janë konfirmuar me Coronavirus në Kosovë, 63 prej tyre janë shëruar ndërsa 8 prej tyre kanë vdekur.