Rrëfimi për krimet e forcave serbe në Gjakovë

Gjakova është njëra nga komunat më të prekura nga lufta e viteve 1998-1999.

Vrasje, dhunime, maltretime e shumë krime të tjera u kryen në qytet e në fshatra ndërsa dokumentimi dhe ndjekja e autorëve është ende larg.

Një grup i aktivistëve të kësaj komune vazhdon punën për të grumbulluar provat e dëshmitë e asaj çka ka ndodhur në Gjakovë.

Si njëri prej atyre që përjetoi luftën dhe tmerrin në Gjakovë, Afrim Caka është një aktivist që po mbledh prova e dëshmi për të dokumentuar ato që kanë ndodhur gjatë asaj kohe.

Grumbullimin e tyre ai e kishte filluar nga viti 2002.

Caka në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer përjetimet e tij gjatë kësaj kohe.

Ai ka treguar që më 10 maj 1999 kishin filluar dëbimet masive në qytetin e Gjakovës.

“Isha në shtëpi sepse i kisha fëmijët e vegjël, dy palë binjakë dhe vajzën e madhe 4-vjeçe. Binjakët e parë ishin 3-vjeçarë e të vegjlit 1 vit e gjysmë. Isha në dhomën time dhe u rrethua e gjithë lagjja, dëgjonim ulërima dhe e kuptuam që shtëpinë e kishin rrethuar. Nga ana e pasme e shtëpisë që i kishim hapur muret për t’u arratisur më shpejt, të gjithë ata që ishin mrapa shtëpisë sime i kishin arrestuar dhe i kanë pushkatuar atë ditë” – ka rrëfyer ai.

Caka ka rrëfyer edhe momentin kur është dashur të japë para e ar për t’ia lëshuar serbët gruan.