Caka: Millan Radojiçiq - pjesë e forcave serbe gjatë luftës së fundit në Gjakovë
Në emisionin “Kallxo Përnime”, Afrim Caka, ish i burgosur politik dhe dëshmitar i vrasjeve e dëbimeve në Gjakovë, ka thënë se pjesë e paramilitarëve serbë ka qenë edhe Millan Radojiçiq.
Ai ka treguar se ka qenë pikërisht ai me serbë dhe malazias që kanë jetuar në këtë komunë, ata që i kanë nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre gjatë vitit 1999.
“Së pari kanë hyrë paramilitarët serbë. Aty ka qenë një komandant rus, u futën në dhomë dhe kanë kërkuar para, ari, nga unë i kanë marrë 10 mijë marka dhe një peshë të madhe ari, dhe (pastaj) e liruan gruan, sepse, njëherë deshën me marrë me vete. Kur kemi dalë në oborr nga dera ka hyrë Radojiçiqi, kanë hyrë edhe disa të tjerë me radhë që janë të cekur në libër. Po flasim d.m.th. për Millan Radojiçiqin, që deri dje ishte në Mitrovicë dhe në Kryeministri që e morën për bisedime, kryeministri atëherë që e patë thirrë” – ka thënë Caka.
Millan Radojiçiq ka jetuar në Gjakovë, deri në fillim të luftës së fundit në Kosovë.
Radojiçiq është i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Olliver Ivanoviqit, më 16 janar të vitit 2018.
Ivanoviq para se të vritej kishte realizuar një intervistë me BIRN, duke e quajtur Millan Radojiçiqin – një mbledhës të borxheve dhe pronar kamioni, i afërt me partinë në pushtet në Serbi – si një figurë kyçe në sistemin e frikësimit të pushtetit në Kosovën e veriut.
Në intervistën e tij të fundit për BIRN, Ivanoviq, i vrarë në janar 2018, e quajti Millan Radojiçiqin një figurë kryesore dhe të fuqishme në veriun e Kosovës të drejtuar nga serbët.
Ai kërkoi nga BIRN që ta mbante atë pjesë të intervistës që e dha më 2018 jashtë procesverbalit, sepse kishte frikë nga hakmarrja e mundshme.
Në intervistën një-në-një, në audion dhe shënimet e regjistruara, Ivanoviq pohoi se pushtetin në Kosovën e veriut nuk e mbajnë institucionet e zgjedhura por “qendrat joformale të pushtetit” – dhe e quajti Radojiçiqin të lidhur me këtë sistem joformal të pushtetit.
“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e Komunës – sepse ndërtesa e Komunës i takon kësaj qendre tjetër joformale të pushtetit” – kishte thënë Ivanoviq.