Rrëfimi i viktimës: Që një dekadë burri im polic më rrah

“Burri im është zyrtar policor në Prishtinë. Që 15 vite punon aty. Problemet janë se ai është që një dekadë ushtrues recidiv i dhunës në familje, unë e kam denoncu non-stop mirëpo e gjitha ka hasur në vend të shurdhër dhe ai prapë vazhdon me punu si mos me ndodh asgjë”. Ky është fillimi i deklaratës së një gruaje e cila tash e një dekadë ka probleme të dhunës në familje nga bashkëshorti i saj i cili punon si zyrtar policor në një nga stacionet në Prishtinë.

E dëshpëruar nga institucionet e drejtësisë, të cilët sipas saj, nuk kanë trajtuar rastet e saj të cilat i ka raportuar, ajo sot rri në ankth nëse një ditë do të mund të zgjohet e që dhuna që ushtron burri i saj të mos eskalojë deri në fatalitet.

“Prej lëndimeve të rënda që kam pasur edhe thyerje të gjymtyrëve por edhe dhunë psikike e pandërprerë. Një dhunë të tillë e kam pasur që një dekadë. Sidomos edhe familja që sheh raste të tilla janë të rënda dhe të vështira me u ballafaqu me to me çdo ditë duke mos ditur se dita-ditës çka do të ndodh, si do të zgjohem. E kam denoncuar duke mendu që do të has në mbrojtje por si duket janë më shumë mbështetës të atyre që e ushtrojnë një gjë të tillë”, rrëfen gruaja.

Tutje ajo shpjegon njërin nga rastet për të cilën thotë se nëse nuk kishin ndërhyrë fëmijët, ngjarja do të përfundonte rëndë.

“Ngjarja e thyerjeve të gjymtyrëve ka ndodhur para dhjetë viteve edhe ka qenë eskalim i dhunës diçka e papërballueshme. Në sytë e tij kam vërejtur një tmerr të vërtetë që aty nuk ka përfundim diçka të mirë por diçka që kisha mujt me quajt me fatalitet po mos të kishte ardhur dikush prej fëmijëve dhe me ndërhy. Nuk kam mujt me thirrë kërkon sepse ai ma ka marrë telefonin edhe e ka hudh përtoke dhe e ka thy. S’kam mujt me thirrë policinë e as kërkon edhe pse ai vet punon aty dhe e din se si funksionojnë të gjitha gjërat. Çdo mjet komunikimi ma ka ndërpre dhe m’i ka mbyll dyert edhe krejt gjërat dhe ka vazhdu me ushtru dhunë fizike deri sa unë jam alivanosur. Në ndërkohë ka mbrri dikush prej fëmijëve dhe e ka hap derën më ka gjetë në qat gjendje deri sa kam përfunduar në spital”, vazhdon rrëfimin viktima.

Ajo shton se nga të gjitha raportimet që i kishte bërë ndaj burrit të saj zyrtar policor, vetëm njëri është trajtuar por përsëri i njëjti është kthyer në punë.

“Gjithmonë kam pasur ankesat e mia, nuk ka shku naj proces gjyqësor përveç asaj që ka qenë me thyerje të gjymtyrëve në rastin e të cilit është liruar me kusht dhe kam pasur një urdhër mbrojtje në një kohë të caktuar dhe masnej është kthy në shtëpi me shpresën duke kërku falje se do të bëhet mirë dhe nuk do të përsëritet më e ky në fakt ka qenë gabimi më i madh që e kemi toleruar dhe që ka vazhduar për një dekadë”, shton ajo.

Viktima tregon edhe se si i kanë trajtuar zyrtarët tjerë policorë rastet e raportuara nga ajo për dhunën që ushtronte kolegu i tyre.

“Si zakonisht has në një paragjykim, dhe një pengesë le të themi një mur së pari qasja e tyre është që ” ti ke bërë diçka, ti e ke lyp vetë”, ose është një arsye sepse ne e njohim kolegun tonë është djalë i mirë, punojmë me të, nuk po ju kuptojmë për kënd po ankohesh””, tregon komunikimin viktima.

Burri i saj sot është ende zyrtar policor, i uniformuar dhe i armatosur.

“Edhe pasi më ka rrah ai gjithmonë është kthyer në të njëjtin vend të punës, i është dhënë uniforma, arma edhe ka vazhdu sikur kurrë mos me pas ndodhë asgjë që për mu ka qenë çudia ma e madhe e që nuk kam mundur ta besoj kur e kam parë që iu ka dorëzu arma dhe ka vazhdu me punu njëjtë”, shtoi ajo.

Një dekadë plot denoncime për burrin, sipas saj kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Edhe këtë vit është dashtë me raportu për raste të tilla edhe në bazë të gjitha gjasave për shkak se i din procedurat normalisht që ik prej vendit të ngjarjes, e më pas nuk e gjejnë ose nuk ua hap telefonin shkojnë 24 orë e asgjë nuk ndodh. Ose ka pasur raste e kam denoncuar, i kam thirrë policinë, kanë ardhur dy-tre vetë, nuk kanë marrë as intervistë as kurrgjë dhe më është dashtë me thirrë bazën kryesore me ju thanë që ata që kanë qenë mbrëmë nuk kanë marrë asnjë deklaratë nga unë dhe ata janë befasuar, sepse ndikimi i tij te kolegët që mos me hap raste fare”, vazhdon rrëfimin.

Madje ajo shpjegon që në një rast i cili ka ndodhur gjatë këtij viti, policia nuk e ka arrestuar fare kolegun e tyre ani pse ishin të thirrur të vepronin sipas ligjit.

“Ata më kanë thënë: kurrgjë s’është kjo, s’kemi mujt me marrë në telefon, nuk po mundemi me gjetë, nuk dimë ku është dhe kurrgjë tjetër. Sot nuk ndihem e sigurt. Përderisa unë sot jetoj me një person recidivist i dhunës në familje, një njeri që prek në familjen e vet sepse të gjithë e dinë se familja është e shenjtë, unë kisha thanë që ai nuk është me gjendje psikike stabile kur dikush është recidivist i dhunës në familje diçka te ai person nuk është në rregull. Plus është i uniformuar, i armatosur dhe je ti afër bashkë me të, pra do të thotë që prej momentit në moment pres me eskalu diçka, me kalu në fatalitet, nuk është diçka që është trajtu apo që janë ndërmarrë masa ndaj tij nga institucionet tona, përkundrazi e kanë përkrahë edhe unë me pa që është i paprekshëm dhe unë me vërejte që unë nuk kam asgjë mbi të apo kundër tij që mundem me realizu në asnjë formë”, tregon viktima.

Ajo mendon se një polic i cili vetë është ushtrues i dhunës në familje nuk mund të mbrojë gratë e tjera të cilat janë viktima të dhunës në familje.

“Me i mbrojtë gratë e dhunës në familje? Jo unë mendoj se është e kundërta. Përderisa një person keqpërdor familjen e tij ai mundet ta keqpërdorte çdo kënd tjetër. Nuk besoj që një person që është ushtrues i dhunës në familjen e tij mundet me mbrojtë një familje tjetër”, vazhdon rrëfimin ajo.