Skelet e rrëzuara mbi automjetet në Prishtinë, 21.05.2024.

Rrëfimi i qytetarit që shpëtoi për pak nga skelet që u rrëzuan

Bedri Alshiqi shpëtoi pa lëndime pasi që arriti të ikte nga skelet që u rrëzuan në Prishtinë sot më 21.05.2024.

Nga rrëzimi i skeleve që ishin vendosur rreth një ndërtese u shkaktuan vetëm dëme materiale.

“Shyqyr që shpëtuam” – thotë ai, ndonëse automjeti i tij është njëri prej disa automjeteve që i zunë skelet.

Ai rrëfen se si u largua pasi dëgjoi zhurmën e skeleve.

“E ndeza kombin, duke u nisë, veç kur ka bo: uaaap (përshkruan zhurmën). Edhe u largova, dola prej kombit. Pasi që shpëtum veç ia bojsha kresë kështu (kap kokën me duar)” – tha Alshiqi.

Momenti i ikjes së tij shihet edhe në pamjet e siguruara nga KALLXO.com.

Sipas tij, në atë çast era nuk ka qenë shumë e fortë.

Ndërkaq, drejtori i Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica tha se dyshimet e para për shkakun e këtij incidenti është era e fortë.

Lidhur me kompensimin e dëmit të shkaktuar, Alshiqi tha se nuk është njoftuar ende dhe se është në pritje.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, zjarrfikësit, inspektorët e ndërtimit dhe të emergjencës.

Fushtica, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes, tha se për shkaqet konkrete do të deklarohen më vonë.

“Do t’i lëmë ta kryejnë punën e tyre në ditët në vijim. Do të fillojë pastrimi i vendit të ngjarjes” – shtoi ai.

Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Perandori Dioklecian” afër kompleksit “Qafa” në Prishtinë.

Rrëzohen skelet afër një ndërtese në qendër të Prishtinës, dëmtohen disa vetura