Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

Rrahja mes kolegëve në Spitalin e Pejës, ky është sqarimi nga menaxhmenti

Në mëngjesin e ditës së djeshme, një punëtor i Spitalit të Pejës dyshohet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij në vendin e punës.

Të dyshuarit gjatë ditës së djeshme u intervistuan nga Policia e Kosovës, e sot një deklaratë për media u dha edhe nga vet Spitali i Përgjithshëm në Pejë.

Në këtë deklaratë u tregua se ka pasur një incident ku kanë qenë të përfshirë dy të punësuar.

“Spitali shpreh keqardhjen për rastin që ka ndodhur dhe po ashtu thekson se është në proces të mbledhjes së të dhënave për t`u njoftuar për të gjitha detajet” – thuhet në njoftim.

Në njoftim tutje bëhet e ditur se dje ky proces nuk ka mund të kryhet sepse dy të punësuarit e Spitalit të përfshirë në këtë rast kanë qenë në organet e hetuesisë.

“Ne nuk kemi ende të gjitha informacionet e duhura. Pas mbledhjes së informacioneve, ky rast do të trajtohet sipas akteve normative në fuqi” – u tha në njoftimin e Spitalit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi dje tha se për rastin është njoftuar Prokuroria, e cila ka urdhëruar që rasti të cilësohet “Lëndim i lehtë trupor”.

Gashi tha se rasti më pas shkoi në procedurë të rregullt e se viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

Punëtori i Spitalit të Pejës dyshohet se e sulmoi fizikisht kolegun në vendin e punës