Replika LVV-PDK në Kuvend për çmimin e rrymës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Adnan Rrustemi, i ka replikuar shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri për temën e energjisë.

Rrustemi tha se  Tahiri po përpiqet ta instumentalizojë shoqërinë përsëri duke cenuar e duke shantazhuar me greva e protesta.

Ai iu ka drejtuar Tahirit se nuk mund të ndikojë mbi sistemin e drejtësisë.

“Ka përfunduar kjo kohë, gjykatat do t’i marrin vendimet meritore dhe do të dëshmohet se nuk ka asgjë nga ajo çka pretendoni ju”, tha Rrustemi.

“Është hipokrizi e pa precedent që eksponenti i aferës së noterëve sot me na fol neve për sistem të drejtësisë dhe për masa të përkohshme të sigurisë. Përsëri po na flet e po na lexon vendime që nuk janë marr ende nga gjykata. Kjo tema e energjetikës nuk qëndron”, tha Rrustemi.

E deputeti Tahiri iu kundërpërgjigj se vendim për rritjen e çmimit të energjisë është pezulluar dhe shprehet i bindur që me gjitha argumentet që do t’i ofrojnë vendimi do të anulohet.

“Është interesant zoti Rrustemi që gjykata edhe në rastin e noterëve edhe të energjisë elektrike po më jep të drejtë. Ju si grup parlamentar keni dhënë mendime në ZRrE për ngritjen e çmimit të energjisë. Ju keni qenë pjesë e kësaj ndërmarrje të madhe të përbashkët për me ngrit çmimin e energjisë. Nuk po flas diçka të pa vërtetë, ju keni propozuar ngritjen e çmimit të energjisë”, tha Tahiri.

E Konjufca iu ka drejtuar Rrustemit, që mos ta shfrytëzojnë këtë kohë për replika mes njëri tjetrit, pasi sipas Konjufcës kjo pjesë parashihet të replikohet me qeverinë.

“Nuk ka në këtë pjesë replika me njëri tjetrin, replikat janë me qeverinë”, tha ai.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është pezulluar përfundimisht nga Gjykata e Apelit.Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Deri tek vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit erdhi pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës