Gramoz Aliu - Mozzik. Foto: Instagram

Reperi ‘Mozzik’ lavdëron forcat e rendit pas arrestimit të tre personave për vjedhje

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt në koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt ka identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar, të cilët në grup kishin kryer disa vjedhje, kryesisht në shtëpi të bashkatdhetarëve.

Lidhur me këtë ka reaguar reperi, Gramoz Aliu i njohur si “Mozzik” duke përgëzuar policinë dhe theksuar se edhe shtëpia e tij kishte qenë në mesin e atyre ku u kryen vjedhje.

“Për çdo lëvdatë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z.Gazmend Hoxha për angazhimin profesional e të sinqertë. Gjithsesi ekipa fantastike e Sektorit Rajonal të Hetuesisë Ferizaj në këtë zingjirë nga unë marrin duartrokitjet më të mëdhajat. Qenkan arrestuar 3 persona të qytetit Ferizaj ku edhe dyshohen se njëra nga veprat kriminale që kanë kryer është pikërisht shtëpia ime ( e vjedhur e thyer)” – ka shkruar Aliu.

“Pak jam mahnit nga saktësia e tyre, pak nga shkathtësia e tyre, pak nga profesionalizmi i tyre, por prapë besoj nuk patën ku të shkojnë”- ka shtuar më tej ai.

Policia përmes një komunikate kanë bërë të ditur se arrestimi erdhi pas një hetimi të gjatë, që nga muaji prill i këtij viti, duke përdorur masa të fshehta të përgjimeve dhe vëzhgimeve.

“Fillimisht me datën 29.12.2023, rreth orës 17:20, hetuesit rajonal kanë arrestuar të dyshuarin A.XH (M/K) i moshës 23 vjeçar, ndërsa sot, datë 30.12.2023 rreth orës 07:00 janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë, P.K (M/K) i moshës 36 vjeçar dhe A.K ( M/K) i moshës 30 vjeçar, me dyshimin se kanë kryer disa vjedhje të rënda në disa shtëpi të banimit ( kryesisht shtëpi të bashkatdhetarëve) dhe në disa biznese në qytetin e Ferizajt, duke përfshirë këtu fshatrat: Greme, Varosh, Dardani, Sazli dhe në lagjen ‘’Panorama’’ në Ferizaj” – thuhet në komunikatë.

Kryen vjedhje nëpër shtëpi të bashkatdhetarëve në Ferizaj, arrestohen 3 persona